Produkte Cilësore për Konkurrencën Evropiane

Krahas cilësisë së produkteve, Kosova duhet të zhvillojë infrastrukturën e matjes së kësaj cilësie që duhet të jetë e nivelit evropian.

Libor Chlad, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë në konferencën për rolin e metrologjisë gjatë zbatimit të MSA-së që kjo zyrë organizoi bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tregoi se si Kosova të eksportojë produktet e saj.

“Kosova duhet  të ndërtojë një bazë të fortë industriale dhe duhet t’i qëndrojë presionit të konkurrencës të tregut të përbashkët evropian dhe për këtë duhet të sigurohemi që produktet e prodhuara në Kosovë të jenë të cilësisë korresponduese,” deklaroi Chlad.

Metrologjia është shkencë e matjeve që gjithashtu është pjesë e infrastrukturës të cilësisë së produkteve të vendeve të ndryshme.

Avni Kastrati, zëvendësministër i MTI-së shpjegoi konceptin e metrologjisë, duke bërë thirrje për ngritjen e nivelit të matjes në Kosovë në përputhje me kulturën evropiane të menaxhimit të cilësisë.

“ Nxitja e një kulture evropiane në menaxhimin e cilësisë është e nevojshme me atë të zhvillimit të instrumenteve dhe burimeve teknike njerëzore në partneritet me industrinë dhe faktorë të tjerë. Metrologjia është një ndër shtyllat kryesore të sistemit të cilësisë të çdo vendi, së bashkë me standardizimin dhe akreditimin dhe padyshim se roli i saj në ekonomi dhe shoqëri është i një rëndësie primare,” tha Kastrati.

Dita Botërore e Metrologjisë është me 20 maj kur shënohet përvjetori i nënshkrimit të konventës së metrit në vitin 1875 në Paris ku 17 qeveri nënshkruan traktatin për një sistem të përbashkët të matjes.

Në prill KALLXO.com shkroi për projektin e standardizimit të mjeteve matëse nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, një obligim që atëherë u tha që Kosova e ka marrë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

http://kallxo.com/msa-ja-ndihmon-ne-matje-pa-hile/