VIDEO – PSD fishkëllen dhe hedh disa letra gjatë fjalimit të Kurtit në konferencën për rininë

Një aktiviste e Partisë Socialdemokrate ka fishkëllyer dhe ka hedhur disa copa letre gjatë kohës sa kryeministri Albin Kurti ishte duke mbajtur fjalim në Konferencën për Rini 2023.

Sapo kishte nisur aksionin e saj, ajo ishte larguar prej sallës nga mbrojtja e afërt e kryeministrit.

Konferenca për rini për këtë vit, “Fuqizo, shërbe, angazho” po mbahet  në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare.

Kryetari i PSD-së, Dardan Mollqiqaj tha se në letrat që u shpërndanë sot nga aktivistja e tyre ishin të listuar “dëmet që i ka sjellë Kosovës këtë vit kryeministri”

“Prandaj sot aktivistja e PSD-së Sonila Pllashniku ia ndërpreu fjalën Kryeministrit duke fishkëlluar në shenjë proteste dhe duke shpërndarë një fletushkë ku i listuam pikërisht dëmet e mësipërme që Kryeministri ia solli Kosovës këtë vit” – ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Gjatë fjalimit të tij në këtë konferencë, Kurti ka folur për të arritura në rini, mbështetjen qeveritare për këtë sektorë, duke veçuar anëtarësimin e  Kosovës në Shoqatën Evropiane Kartës të Rinisë.

“Anëtarësimi në këtë shoqatë do të ndikojë në lëvizjen më të lehtë të studentëve tanë në vendet evropiane”- tha ai ndër të tjerash.

Të rëndësishme, anëtarësimin e Kosovës në Shoqatën Evropiane Kartës të Rinisë e ka konsideruar edhe Miguel Perestrello, president i kësaj shoqate.

“Është mjaft e rëndësishme që edhe Kosova është pjesë e Shoqatës, ku të rinjtë (studentët) kosovarë do të kenë mundësi të përfitojnë zbritje në 60 mijë shërbime gjatë lëvizjes së tyre nëpër vendet anëtare”- tha ai, duke dhënë edhe sqarime lidhur me të mirat që ofron Shoqata Evropiane e Kartës Rinore.

Konferenca për rininë, po i zhvillon punimet në disa sesion në fusha të ndryshme, me qëllim të shpalosjes së programeve të ndryshme edukativo -arsimore.