Prishtinë, shënohet Dita Botërore e Mjedisit

Në parkun Gërmia në Prishtinë është shënuar Dita Botërore e Mjedisit, organizim ky nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe disa organizatave mjedisore.

Në këtë aktivitet u ekspozuan punime dhe vizatime për vetëdijesimin e ruajtjes së mjedisit, nga nxënës të shkollave fillore.

Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, tha se ministria ka marrë hapa konkret këtë vit për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, ndërsa tha se ka ende punë për të bërë.

“Kemi ende shumë punë për të bërë, për të pas një mjedis më të mirë. Kemi marrë hapa konkret për përmisimin e cilësisë së ajrit. Ndalja e përdorimit të thëngjillit nëpër shkolla dhe institucione ishte një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e ambientit. Bashkë me KE janë paraparë miliona euro për Kosova B për ndërrimin e filterave. Apelojmë te qytetarët te kontribuojnë në rrugëtimin e përbashkët që e kemi ne si Ministri në bashkëpunim me partnerët vendor dhe ndërkombëtarë”, deklaroi Matoshi.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin edhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, si dhe përfaqësues të UNDP, USAID, të organizatës “Let’s do it Kosova”, dhe zëvendës ministri i Ministrisë së Mjedisit të Estonisë, si vendi kur u themelua për herë të parë iniciativa “Let’s do it World”.