Ndeshja FC Prishtina - KF Drita, Foto: Facebook/FC Prishtina

Prishtina – Drita, beteja e fundit në luftën për kampion

Në orën 16:00 në stadiumin “Shahin Haxhiislami” të qytetit të Pejës do të luhet ndeshja vendimtare, Prishtina – Drita, e cila do të vendosë se kush do të jetë kampion i ri i Superligës së Kosovës për sezonin 2017 – 2018.

Ndeshjen e cila do të zhvillohet në Pejë do ta gjykojë, Fatmir Tahiri nga Mitrovica. Ndihmësit e tij janë Edmond Zeqiri e Fatmir Sakiraqa nga Podujeva. Kurse gjyqtari i katërt i ndeshjes do të jetë Selim Isufi nga Podujeva.

Drita ka plotë 28 ndeshje radhazi pa humbje duke i prirë tabelës me 66 pikë të grumbulluara në 32 ndeshje. Përderisa ekipi i Prishtinës ka grumbulluar 63 pikë dhe radhitet e dyta në tabelë pas Dritës.

Ekipi i Prishtinës është vendas në këtë ndeshje kështu që tifozëve të tyre i janë ndarë një numër më i madh i biletave.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se 20 autobusa të organizuar nga Plisat dhe Komuna e Prishtinës janë nisur për në Pejë.

“Le të fitojë sot skuadra më e mirë! Derbi i paparë, në xhiron e fundit, dy skuadrat kryesore në përballje direkte. Uroj që të kemi një spektakël pa marrë parasysh fituesin”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Skuadrës së Dritës nga Gjilani i janë ndarë vetëm 100 bileta për mbështetësit e saj. 100 tifozët më të flaktë të Dritës kanë udhëtuar për në Pejë qysh në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, për të pritur që të luhet ndeshja e cila do të vendosë për titullin e kampionit.

Edhe kryetari i komunës së Gjilanit ka komentuar ndeshjen për titill mes Dritës dhe Prishtinës.

“Jemi veç një hap drejt realizimit të ëndrrës. Uroj të jetë ndeshje fairplay. Krejt Gjilani e Anamorava jemi me ju”, ka shkruar Haziri në profilini e tij në Facebook në mbështetje të ekipit të Dritës.

Të gjithë ‘Intelektualët’ si dhe qytetarët e Gilanit që nuk kanë mundur të udhëtojnë drejtë Pejës, ndeshjen mund ta shikojnë të gjithë së bashku në mënyrë të organizuar te Teatri i Qytetit në Gjilan ku është vendosur një ekran i madh.

Edhe në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në ora 16:00, do të shfaqet ndeshja Prishtina – Drita.

Ekipi i Dritës është shpallur kampion i Superligës së Kosovës, vetëm një herë, në sezonin 2002-2003.

Ekipi i Prishtinës, është shpallur plot gjashtë herë kampion që nga vitit 1999, duke u bërë ekipi me më së shumti tituj kampion në Kosovë. Prishtina ka qenë kampion në sezonin 2003-04 dhe dy herë fitoi dy tituj me radhë, në vitet 2007-08, 2008-09 dhe 2011-12, 2012-13.