Shpend Ahmeti shijon një ushqim të një biznesi në tregun e fundvitit - Foto: KALLXO.com

Prishtina Bëhet me Tregun e Fundvitit

Kryetari i Komunës së Prishtinës ka hapur sot tregun e fundvitit në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Në këtë ngjarje, Shpend Ahmeti ishte i shoqëruar nga drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Besart Vllahinja.

“Jemi të lumtur që po e bëjmë hapjen e tregut të fundvitit. Të gjitha bizneseve që kanë aplikuar dhe e kanë fituar vendin u urojmë sa ma shumë punë dhe qytetarëve sa më shumë kënaqësi te sheshi”, tha i pari i Prishtinës.

24 shtëpiza e përbëjnë këtë treg. Aty do të ushtrojnë veprimtarinë biznese të ndryshme, të përzgjedhura në bazë të një konkursi të hapur.

Këto shtëpiza do të jenë të pranishme në shesh gjatë muajit nëntor, dhjetor dhe disa ditë pas Vitit të Ri.

“Kemi përzgjedhur bizneset në bazë të një konkursi të hapur, ku kemi tentuar të kemi një miks të shërbimeve të ndryshme, prej kafeve tek vera e vluar, vera e zier, tek artizanatet, pra ka gjëra të ndryshme për të gjithë qytetarët që duan të kalojnë një pjesë të ditës në shesh në një ditë të bukur si kjo”, tha ndër të tjera Shpend Ahmeti.

Ndërsa, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Besart Vllahinja, foli për pjesën kulturore dhe artistike të tregut.

Sipas tij, në pjesën e tregut do të mbahen koncerte të vogla, ku do të përformojnë artistë të ndryshëm.

Redaktoi: Naser Sertolli