Foto: Kallxo.com

Prezantohet projekti i autostradës 242 milionëshe Prishtinë-Merdarë

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë prezantoi rezultatet e studimit të fizibilitetit, dizajnin paraprak si dhe vlerësimin për ndikimin mjedisor dhe social për zbatimin e seksionit të autostradës Prishtinë – Merdarë.

Sipas menaxherit te projektit, Panos Pikrodimitris, projekti i autostradës me 4 korsi, Prishtinë-Medarë kap shifrën 242 milionë euro.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj u shpreh se kjo autostradë do të ndihmojë lidhjen e Kosovës me rajonin.

Sipas tij, me këtë autostradë, Kosova hyn në korridore lidhëse.

“Jam i lumtur se viti 2018 po përmbyllet me lajme të mira siç është realizimi i autostradës Prishtinë – Merdarë. Është një projekt i cili do të ndihmojë shumë lidhjen e Kosovës me rajonin. Siç e dini, autostrada Durrës- Morinë- Prishtinë-Merdarë është pjesë e rrjetit bazik të transportit në kuadër të rrjetit trans-europian. Kjo rrugë, ky korridor në Kosovë, kalon përmes Vërmicës kufirit me Shqipërinë, dhe në Merdarë në kufirin me Serbinë me një gjatësi totale prej 128 kilometra. Një pjesë e madhe rreth 100 kilometra tashmë ka përfunduar dhe kjo siguron qasjen e Kosovës me detin Adriatik dhe Detin e Zi. Kështu e përmirësojmë lidhjen me vendet tjera të Ballkanit  dhe korridoret europiane të transportit”, tha Lekaj.

Ministri bëri thirrje për projektuesit që struktura dhe ekonomia në fshatin Rimanishtë të mos dëmtohen nga kjo autostradë.

“Kur jemi te puna praktike-teknike kam një thirrje të projektuesit sot dhe për ata nesër që të gjejnë një qasje të pranueshme për fshatin Rimanishtë, sepse rrugët bëhen për t’u bashkuar njerëzit  dhe jo të kundërtën, prandaj duhet të ruhet struktura, ekonomia e këtij fshati duke mos i rënë përmes autostradës”, shtoi ministri Lekaj.

Zëvendës Shefi i Sektorit të Bashkëpunimit nga zyra e BE-së, Libor Chlad, tha se autostrada Prishtinë-Merdarë do të eliminojë të gjitha pengesat në sektorin e tregtisë.

“Ne kemi mbështetur Kosovën për aderim edhe në shumë fusha tjera, siç është ajo Stabilizim- Asocimi që është duke avancuar. Kjo autostradë do ta lidhë veriun e vendit me vendet tjera të Bashkimit Europian. Ideja e lidhjes në mes të vendit me Ballkanin perëndimor mundëson lidhjen e tyre me BE me mënyrë që pengesa për çfarëdo tregtie do të eliminohet”, tha Chlad.

Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, u shpreh se kjo rrugë ka dimension të madh politik pasi që, sipas saj, ajo i thyen barrierat e ngurta të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi kryesor i Kosovës është integrimi në Bashkimin Europian. Kosova ka qenë pjesë e pandashme e të gjitha proceseve që nga viti 1999 deri më tani. Kjo rrugë është në funksion të agjendës se kontinuitetit, pra lidhjes se Kosovës me rajonin dhe Bashkimin Europian. Por gjithashtu, kjo rrugë ka dimension të madh politik, sepse i thyen barrierat e ngurta të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu do të ndihmojë në qarkullim më të lehtë të mallrave dhe njerëzve. Gjithashtu kontribuon ne promovimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Institucionet e Kosovës janë plotësisht të vetëdijshme për rëndësinë e projekteve infrastrukturore me karakter rajonal dhe nacional, prandaj po e shihni përkushtimin e të gjithëve intensivisht për në këtë projekt”, tha Hoxha.

Projekti zbatohet me fondet e BE-së të siguruara përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF).