Konferenca e SBASHK-ut | Foto: KALLXO.com

Presion i SBASHK-ut për Mësimdhënësit e Viteve ‘90

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës mori vendim që të fillohet me presione sindikale kundrejt Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nëse ligji për mësimdhënësit e vitet e 90-ta nuk finalizohet deri në fund të javës së ardhshme.

Ligji për statutin e punëtorëve të arsimit të Republikës së Kosovës për vitin shkollor 1990 deri në vitin shkollor 1998-1999 për herë të tretë është kthyer nga qeveria në Ministrinë e Arsimit për ta rishqyrtuar edhe një herë koston buxhetore.

Ymer Ymeri  i cili ka qenë pjesë e komisionit së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kur është diskutuar për ligjin rreth mësimdhënësve të viteve ‘90 viteve 90-ta tregoi se pensionet për këta punëtorë arsimi janë ndarë në dy kategori.

“Versioni final i komisionit është që përafërsisht vlera e pensionit për punëtorët e arsimit janë ndarë në dy kategori, një kategori ka qenë ata që kanë punuar më shumë se pesë vjet gjatë asaj periudhe dhe kategoria e dytë, ata që kanë punuar nga një deri në 5 vjet” tha Ymeri.

Ai tregoi edhe çfarë vlere monetare pritet të marrin këta mësimdhënës si pension për vitet e rënda kur punuan.

Shuma e pensionit që përfitojnë kategoria që kanë punuar më tepër se pesë vjet do të jetë përafërsisht me shumën e pagës minimale, me 75 për qind të pagës bazë në arsimin fillor, përafërsisht 315 euro, ndërsa për kategorinë e dytë, ata që kanë punuar më pak se pesë vjet të asaj periudhe do të jetë 65 për qind e pagës bazë” shpjegoi Ymeri. potencoi Ymeri.

Në shtator të vitit të kaluar teksa foli për këta mësimdhënës, ministri i Arsimit Arsim Bajrami tha se ata nuk duhet të kërkojnë shpërblime e dekorata, pasi sistemi i arsimit në vitet ’90 ishte pjesë e rezistencës kombëtare.

http://kallxo.com/bajrami-mesimdhenesit-e-viteve-90-te-mos-kerkojne-dekorata/

Në takimin e mbajtur nga Këshilli i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës u propozua edhe kontrata e re kolektive pasi kontratës së vjetër kolektive i skadon afati në bazë të Ligjit të Punës me 11 prill 2017.

“Kontrata e re e propozuar nga SBASHK-u nuk përfshin vetëm arsimin parauniversitar po brenda saj rregullohen edhe çështjet e universiteteve të Kosovës”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.

Në takimin e SBASHK-ut përveç për mësimdhënësit e viteve ’90 dhe kontratën e re kolektive, u diskutua edhe në lidhje me masat për mbrojtjen e institucioneve arsimore dhe personalitetit të punëtorëve të arsimit, u dhanë informata lidhur me rrjedhën e zgjedhjeve nëpër shoqata sindikale dhe u fol për përgatitjet e dërgimit të anëtarëve të SBASHK-ut në pushime.