Takimi i presidentit Thaçi me ish-presidentin austriak, Heinz Fischer – Foto: Facebook/HashimThaci

Presidenti Thaçi arrin në Vjenë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka arritur sot në Vjenë, ku gjatë ditës do të zhvillojë takime me drejtues shtetërorë të Austrisë.

“Me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, do të bisedojmë për marrëdhëniet dypalëshe, perspektivën evropiane dhe dialogun me Serbinë si dhe tema tjera me interes të përbashkët”, shkroi presidenti Thaçi në profilin e tij në “Facebook”.

Fillimisht, presidenti ka zhvilluar një takim me ish-presidentin austriak, Heinz Fischer, i cili, sipas tij, që nga viti 2004 ka mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit.

“Ish-presidentin Fischer e falënderova për kontributin që ka dhënë për Kosovën, rajonin dhe tërë Evropën”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Në Vjenë presidenti Thaçi është i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.