Policia Mohon të Jetë Sulmuar Ambasada Holandeze

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj lajmit, sipas saj të pavërtetë, të publikuar nga portale serbe, lajm që është ripublikuar nga disa portale vendore, për kinse një sulm të armatosur kundër Ambasadës Holandeze në Prishtinë.

Në reagimin e saj, Policia thotë se nuk ka pasur kurrëfarë gjuajtje me armë në drejtim të Ambasadës Holandeze.

Policia sqaron se rreth orës 17:50 ka marrë një informacion për të shtëna në një shtëpi private në lagjen Velania dhe menjëherë ekipet policore kanë shkuar në atë lokacion dhe nga verifikimet e bëra dyshohet se një person ka shtënë në ajër nga ballkoni i një shtëpie.

“PK ka kryer bastisje në shtëpinë e dyshuar dhe në vend ngjarje ka gjetur dy gezhoja, përderisa është në kërkim të personit të dyshuar i cili është i njohur për policinë”, thuhet në reagimin e Policisë.