Droga e konfiskuar nga Policia Rajonale e Pejës - Foto: Policia e Kosovës

Policia: Droga e Konfiskuar në Skenderaj Vinte nga Shqipëria

Policia e Kosovës gjatë mesnatës me njësitë e saj gjatë patrullimit në qytetin e Skënderajt ka  konfiskuar pesë valixhe me mbi 60 kilogram substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

“Pas procedurave të nevojshme të verifikimit dhe kontrollit ka rezultuar se të njëjtit ndodheshin me një automjet të tipit BMW me targa të Shqipërisë, ku gjatë kontrollit të veturës janë gjetur pesë valixhe me substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore.

Sasia e narkotikëve është konfisuar dhe dy personat e dyshuar shtetas të Shqipërisë janë arrestuar për procedura të mëtejme.

Po ashtu pas matjes sasia e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë ka rezultuar të jetë me peshë mbi 61 kilogram (saktësisht, 61 kg e 610 gram).

Sipas Policisë, dëshmi tjera relevante të konfiskuara përveç substancës së dyshuar narkotike janë, një veturë BMW X3, dy telefona mobil dhe 2200 lekë Shqiptar.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar dhe me vendim të tij dy të dyshuarve iu është konfirmuar vendimi për ndalim për 48 orë.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në angazhimet e saj dhe nuk do të tolerojë asnjë veprim që bie ndesh me ligjet e vendit, e në veçanti do të jetë e pakompromis në luftimin e dukurive negative dhe trafikimit me narkotikë”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.