Pjetër Nrecaj nesër në gjyq për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij

Nesër Pjeter Nrecaj do të dalë para Gjykatës në Gjakovë për t’u përgjigjur rreth aktakuzës, e cila e ngarkon për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij në Brekoc të Gjakovës.

Për nesër është paraparë të zhvillohet seanca fillestare e gjykimit.

Seanca do të drejtohet nga gjyqtari Gëzim Pozhegu.

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Pjetër Nrecaj për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton KALLXO.com.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Pjetër Nrecaj se kishte shkuar në shtëpinë e vëllezërve të bashkëshortes së tij i armatosur, ku dhe kishte qëlluar me pushkë automatike në drejtim të bashkëshortes dhe vajzës së tij. Të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

https://kallxo.com/cka-deklaroi-para-policise-pjeter-nrecaj-per-vrasjen-e-bashkeshortes-dhe-vajzes/

Në seancën gjyqësore për caktimin e masës së paraburgimit, pas pretendimeve të prokurorit Agron Matjani, të akuzuarit Pjetër Nrecaj iu kishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe seanca ishte improvizuar në spital.

Në deklaratën e tij, Nrecaj kishte thënë që i vjen keq për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, duke mohuar se ka pasur për qëllim kryerjen e vrasjes.

https://kallxo.com/pjeter-nrecajt-i-vjen-keq-per-vrasjen-e-gruas-dhe-vajzes/

Gjatë fazës së hetimeve, i dyshuari Nrecaj kishte refuzuar të flasë në Prokurori, duke e kushtëzuar deklaratën e tij me një takim me fëmijët e tij.

Ndonëse ndaj tij me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake Shaqir Zika ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, për vrasjen e Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj ka pasur protesta thuajse në të gjitha qytetet e Kosovës.

https://kallxo.com/foto-proteste-ne-gjakove-per-nenen-dhe-te-bijen-e-vrare-ne-brekoc/

Më pas Gjykata e Gjakovës, me kërkesën e Prokurorisë kishte vazhduar për dy muaj masën e paraburgimit për Pjetër Nrecajn, duke e lënë në paraburgim deri më 5 nëntor.

Prokurori Agron Matjani, në pretendimet e tij kishte thënë se ekzistojnë të gjitha arsyet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit, duke marrë parasysh se lartësia e dënimit për këtë vepër është jo më pak se 10 vjet burgim apo burgim të përjetshëm.

https://kallxo.com/vrasja-e-dyfishte-ne-gjakove-i-vazhdohet-paraburgimi-pjeter-nrecajt/

Tutje, Prokuroria me 26 Shtator ka ngritur aktakuzë ndaj Nrecajt, duke dhënë versionin e saj për tragjedinë e 7 gushtit në Brekoc të Gjakovës.

40 vjeçarja Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare, u qëlluan për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit.

Aktakuza shpjegon fillesat e konfliktit të çiftit, e deri te vrasja që tronditi jo vetëm Gjakovën.

I dyshuari Pjetër kishte shkuar në familjen e Valbonës, me qëllim që të pajtohej me të, mirëpo marrëveshja e pajtimit mes tyre nuk ishte arritur dhe ai kishte nisur ta kërcënonte përmes mesazheve telefonike tani të ndjerën Valbona, thuhet në aktakuzë.

https://kallxo.com/tragjedia-qe-tronditi-gjakoven-midis-ligjit-e-kanunit/

Në lidhje me këtë rast, familja e të ndjerës Valbona kishte shprehur dyshime në punën e Policisë, duke thënë që nuk kanë vepruar si duhet.

Sipas një njoftimi te dhënë Inspektorati Policor i Kosovës, kishte thënë që zyrtarët policorë e kishin trajtuar rastin si duhet, por Prokuroria ishte ajo që nuk kishte kërkuar veprime shtesë nga Policia dhe kështu kishin nisur hetimet edhe për punën e zyrtarëve policorë.

https://kallxo.com/publikohen-rezultatet-e-hetimit-per-veprimet-e-policise-pas-vrasjes-se-valbona-nrecajt/

Bëhet e ditur tashmë se çifti kishte pasur probleme edhe më herët, ku i dyshuari Pjetër ishte akuzuar edhe për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.

Ky rast i dhunës në familje, ishte raportuar në maj të këtij viti dhe Nrecaj kishte qëndruar për një muaj në paraburgim.

Hulumtim: Dyshime se prokuroria nuk hetoi ankesat e Valbona Nrecajt për dhunim seksual

www.kallxo.com