Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për vjedhje në furrë të bukës në Gjakovë

Rasti për vjedhje grabitqare në furrën e bukës “Aroma” në Gjakovë, për të cilën akuzohet Safet Smajlaj, dështoi të mbahej sot në gjykatën e Gjakovës.

Shkak i këtij dështimi është mungesa e të akuzuarit, i cili as nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij.

Edhe herë të tjera ka dështuar seanca për të njëjtën arsye.

Kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu, bashkë me anëtaret Manduhije Syla dhe Myfera Hoxha, caktuan datën 6 nëntor për dhënjen e fjalës përfundimtare.

Në këtë rast, i dëmtuari nuk ka kërkuar kompensim dëmi.

Ky rast është kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës Safet Smajlaj, kishte lënë biçikletën dhe kishte hyrë në furrën e bukës “Aroma”, i kamufluar me një maskë dhe i veshur me një xhaketë të bardhë, e kishte marrë kasën e furrës.

Aktakuza shpjegon se në ato momente e dëmtuara Fitore Muhadri ishte duke punuar, e cila kishte filluar të bërtasë dhe këto britma i kishte dëgjuar babai i saj Lulzimi.

Më pas i dëmtuari Lulzim Muhadri kishte filluar kacafytjen me të akuzuarin Safet, i cili edhe e kishte kanosur me thikë të dmëtuarin dhe ia kishte marrë një telefon Samsung dhe kishte ikur- thuhet në aktakuzë.