Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Gjakovë - Arsyetimi i gjykatës për vendimin ndaj ish-zyrtarit të gjendjes civile


Shkelzen Ahmeti, ish-zyrtar i gjendjes civile, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte liruar nga akuza e keqpërdorimit.

Ndërsa, sa i përket veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, gjykata e kishte ricilësuar nga falsifikimi i dokumentit në legalizim i përmbajtjes së rreme dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i ishte zëvendësuar me gjobë në shumë prej 4 mijë euro.

Prokuroria pretendon se Shkelzen Ahmeti, personit N.N, duke mos ia verifikuar të dhënat personale, të njëjtat ia vërteton se kinse quhej Bujar Vishaj, dhe të njëjtit më pas i është mundësuar që të pajisjet me dokumente personale tek zyrtarët tjerë.

Sipas aktgjykimit të gjykatës, thuhet se aktgjykimi lirues për akuzën e keqpërdorimit është marrë ngase personi Bujar Vishaj që gjendet në Belgjikë, nuk është paraqitur për të dhënë dëshmi as në Prokurori e as në Gjykatë dhe se të njëjtin prokurori i shtetit nuk e ka propozuar që të dëgjohet si dëshmitar gjatë shqyrtimit gjyqësor, ndërsa personi N. N., që ka vepruar me emrin Bujar Vishaj është ende i panjohur për organet e drejtësisë.

Në aktgjykimi e gjykatës së Gjakovës, thuhet se Prokuroria nuk kishte ofruar asnjë provë me të cilën do të vërtetonte se ndaj personit N. N., i akuzuar t`i ketë kërkuar para, të ketë kontaktuar me të, e poashtu nuk ka asnjë provë që është bërë falsifikim i dokumentit zyrtar, pasi që regjistrimi i Bujar Vishaj është bërë në Zyrën e Gjendjes Civile në Deçan.

Aktgjykimi thotë se këtu i akuzuari Shkelzen Ahmeti është vënë në lajthim nga personi N. N., pasi që i njëjti kishte sjellë faturën e KESCO, e cila figuronte në emër të babait të Bujar Vishaj, Ahmet Vishaj.

Ndërsa, gjykata në bazë të elementëve të veprës penale Legalizimi i përmbajtjes së rreme, ka vlerësuar se dhënësi i dokumentit është vënë në lajthim përkitazi me saktësinë e përmbajtjes së dokumentit, që do të thotë ai nuk ka qenë i vetëdijshëm se bëhet fjalë për një dokument të pavërtetë dhe se kjo vepër nuk mund të konsiderohet si formë e vërtetë e falsifikimit intelektual.

Aktgjykimi thotë se Prokuroria kishte ngritur aktakuzë pa e marrë në pyetje të dëmtuarin Bujar Vishaj dhe personin N. N., dhe e njëjta nuk i ka vërtetuar provat në të cilën e ka bazuar aktakuzën

Edhe gjatë shpalljes së aktgjykimit, arsyetimi i gjykatës për lirimin e tij nga akuza e keqpërdorimirit ishte që i akuzuari nuk kishte të bënte me regjistrimin e tij në Gjakovë, për shkak se regjistrimi i tij ishte bërë në zyrën e gjendjes civile në Deçan, ndërsa sa i përket veprës së legalizimit të pëmbajtjes së rreme, gjykata tha që në bazë të faturës së KEDS-it e ka futur në sistem adresën e tij.

I akuzuari ishte ballafaquar me dëshmitarë.

KALLXO.com ka raportuar edhe kur i njëjti rast ishte shtyrë.

Një seancë është mbajtur në muajin mars dhe e njëjta kishte dështuar për shkak të mungesës së dëshmitarëve.

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës Shkelzen Ahmeti po akuzohet se personit deri më tani të panjohur, i’a vërteton të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj, banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se është vepruar në kundërshtim ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person i’a lëshon ekstraktin, me të cilën i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkelzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrjeshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare- thuhet në aktakuzë.

Këto veprime, pretendohet se kanë ndodhur në muajin maj të vitit 2016.

Ky rast kishte dështuar edhe disa herë të tjera.

Shkelzen Ahmeti, tashmë zyrtar i emergjencave në seancën e kaluar nuk kishte ardhur pranë gjykatores në Gjakovë.