Gjykimi ndaj Fisnik Ismailit - FOTO KALLXO - 26.02.2019

Pesë policë dëshmuan se nuk e kanë parë Fisnik Ismailin me gaz lotsjellës në Kuvend

Në gjykimin e Deputetit  të Kuvendit të Kosovës nga Partia Social Demokrate, Fisnik Ismaili, i cili akuzohet për posedim të gazit lotsjellës në ndërtesën e Kuvendit para tri viteve, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajli, Mehdi Kozhani, Rifat Gashi, Ali Berisha dhe Faik Krasniqi.

Në seancën e sotme ata mohuan se kanë parë Ismailin, nëse i njëjti ka penguar zyrtarët policorë në detyrën e tyre, ose nëse ka gjuajtur me gaz lotsjellës.

Deputeti i PSD-së Fisnik Ismaili në seancën e kaluar, sërish e ka mohuar fajësinë për posedim të gazit lotsjellës dhe për pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare.

Në pyetjet e prokurorit Ilaz Beqiri, dëshmitari Isuf Xhemajli deklaroi se atë ditë për rastin në fjalë detyra e tyre ishte që me urdhëresë nga Gjykata për arrestin e Albin Kurtit, por për shkak pengesave të shumë deputetëve zyrtarët policor nuk kanë mundur ta realizojnë urdhëresën e eprorëve të tyre. Ai shtoi se dhe nëse ka gjuajtur gaz lotsjellës Ismaili nuk e di sepse  nuk e ka parë.

Prokurori e pyeti se: “Se a keni par atë ditë Fisnik Ismailin, sepse nuk është figuru që nuk vërehet?”

Dëshmitari u përgjigj se: “Fisnik Ismajli është deputet, nuk është një figurë e pa njohur,  por unë atë ditë nuk e kam parë”.

Gjithashtu edhe dëshmitari Mehdi Kuzhani deklaroi se atë ditë kanë pasur urdhër për arrestimin e Albin Kurtit,

“Atë ditë kemi pasur urdhër ta arrestojmë Albin Kurtin, por sa janë dal deputetët nga parlamenti ku u kishte pri Albin Kurti. Dhe me Kurtin ishte Visar Ymeri si dhe gjithë deputetët e opozitës, por edhe vetë Fisnik Ismaili, por Ismaili ka qëndruar më larg”, tha ai.

Tutje Kuzhani shtoi se ka qenë i pari që e ka ndaluar Albin Kurtin, ku sipas tij e kishte njoftuar Kurtin se do shoqërohet deri në stacionin policor.

Sipas dëshmitarit urdhërin që e kishin, nuk kanë mundur ta realizojnë, për arsye se kishte pasur pengesa nga deputetët e tjerë, të cilët e kishin rrethuar Kurtin.

I akuzuari Fisnik Ismaili e pyeti dëshmitarin se: “A të kujtohet atë ditë një moment i vetëm që unë kam vepruar për ta penguar kryerjen e detyrës së secilit policë?”

Dëshmitari u përgjigj se atë ditë ka qenë i përqendruar te Kurti,  dhe se nuk i kujtohen veprimet  për secilin deputet çka ka bërë veç e veç, por tregoi se atë ditë ka pasur shumë media, ku e gjithë ngjarja është e inçizuar.

Gjithashtu edhe tre zyrtarët policor që dëshmuan në cilësinë e dëshmitarëve, Rifat Gashi, Ali Berisha dhe Faik Krasniqi deklaruan në seancën e së martës, se atë ditë afër tyre nuk e kanë parë Fisnik Ismailin, dhe se nuk kanë pasur pengesa posaçërisht prej tij në kryerjen e detyrave të tyre.

 

https://kallxo.com/policet-mohojne-se-e-pane-fisnik-ismailin-duke-gjuajtur-lotsjelles/

 

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Fisnik Ismaili, që atëherë ishte deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, pa autorizim ka poseduar armë dhe më 30.11.2015 rreth orës 10:45 gjatë një kontrolli nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në hollin e Kuvendit, atij i ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës të cilat i kishte fshehur në këpucë.