Fotografia: Facebook

Berisha Zëvendëson Haradinajn

Liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajn, në postin e deputetit pritet ta zëvendësojë ish-kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha.

Në një bisedë për KALLXO.com, njeriu që dy herë u zgjodh kryetar i Pejës tha se do ta marrë postin e deputetit nëse Kuvendi do të jetë funksional.

“Nuk e di sa do të jetë funksional tani Kuvendi i Kosovës. Nëse do të jetë funksional dhe do të vazhdojë mandati atëherë do të jem unë ai që do e marr këtë post. Mirëpo, nuk jam i sigurt a do të vazhdohet nga deputetët e Aleancës dhe opozitës të jenë në Kuvend”, tha Ali Berisha.

I pyetur nëse është i gatshëm t’u bashkëngjitet të gjitha veprimeve të opozitës, Berisha dha shkurt qëndrimin e tij. “Do të jem i gatshëm të veproj konform asaj që është më e mira për Kosovën”, tha ai.

Ndërsa veprimet e opozitës i konsideroi të domosdoshme.

“Deri sot kanë qenë metoda që s’kanë qenë të pëlqyeshme ndoshta për shumicën, por ndoshta kanë qenë të domosdoshme që të paktën të vihet situata në këtë stad, këto marrëveshje të stopohen dhe të konsiderohen të papranueshme”, theksoi ish-kryetari i Pejës.

Ndryshe, Ali Berisha është kryetar i Degës së AAK-së në Pejë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, Berisha u zgjodh kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009 u rizgjodh në të njëjtin post.