Kandidati i AAK-së që është pro martesave të gjinisë së njëjtë e pro bartjes së shamisë në shkolla

Kandidati për deputetë dhe ish- kryetari i Pejës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se duhet të respektohen të drejtat e personave që kur bëhet fjalë për martesa të gjinisë së njëjtë dhe bartjes së shamisë në shkolla.


Në një intervistë për KALLXO.com, Ali Berisha ka folur edhe për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr por edhe monopolit në homologim.

Ish- i pari i Pejës ka disa kauza që dëshiron t’i shtyjë nëse merr votat për deputet.

“Kauza që kam me shty nëse bëhem deputet është që Parlamenti të shndërrohet në një vend ku aprovohen ligjet ku debatohet dhe assesi mos të jetë vend i akuzave  personale  dhe çështjeve personale  të individëve apo të partive.  Gjithashtu kemi me bë përpjekje  që  në Kuvendin e Kosovës  përmes ligjeve të caktuara  shteti i Kosovës  të jetë shtet sa më sovran të ruhet territori  të ruhet integriteti të ruhet tregu dhe të gjitha këto të bëhen me ligje të caktuara të Kosovës”, thotë Berisha për KALLXO.com.

Kandidati për deputetë nga lista AAK-PSD ka thënë se nëse bëhet pjesë e legjislaturës së ardhshme, ai do të mbetet deputet e nuk do të marr ndonjë post tjetër.

Ali Berisha ka përmendur edhe disa taksa, që sipas tij, duhet të ulën.

“Të gjitha ato taksa apo veprime që dëmtojnë ambientin që determinojnë që ambienti jonë të mos jetë jo i duhur jo i pastër, provoj t’i shtyj që të rritën. Ndërsa, të gjitha ato për prodhime të caktuara, ato të eksportit dhe të importit dhe materialeve për produkte të caktuara prodhuese të shkojnë duke u zbritur. Gjithashtu të produkteve meridionale dhe çështjeve të tjera”, ka deklaruar ai.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor. E nëse Ali Berisha bëhet deputetë ka planifikuar edhe disa amandamente që t’i prezantoi në Kuvendin e Kosovës.

“Po kam me provu me i ndërru disa nga amandamentet, sidomos të ligjit të shëndetësisë. Mendoj që shëndetësia dhe sistemi shëndetësor  është shumë i centralizuar dhe mendoj me ligje apo amandamentim të ligjit të shëndetësisë nevojitet një decentralizim më i madh i shëndetësisë  ku institucionet shëndetësore, coftë regjionale cofte komunale të kenë kompetenca më të mëdha në menaxhimin ditor dhe menaxhimin e atyre institucioneve. Gjithashtu kam me provu që në disa ligje të caktuara për mbrojtjen e ambientit të amandamentohen sa më shumë amandamente  që shkojnë në drejtim të mbrojtjes së ambientit si në lokalitete të caktuara siç janë ambientet turistike”, thotë Berisha.

Plane, ish- kryetari i Pejës ka edhe për qytetin e tij. Sipas tij, investimet ne infrastrukturën rrugore po mungojnë, andaj do të angazhohet që ato të shtohen.

“Problem i madh tash i komunës së Pejës është qarkullimi. Ndërtimi i autostradës e cila është vonuar që shumë vite sidomos i kësaj që lidhë Pejën me Prishtinën është një problem i madh i këtij lokaliteti. Kjo duhet të jetë si shtyje e parë coftë në Parlament coftë në Qeveri. Gjithashtu investimet në komunën e Pejës duhet të jenë shumë më të mëdha.  Kemi stadiumin e qytetit që shumë vite që nuk ka kushte elementare për funksionimin e tij. Investime duhet të ketë edhe në qendra turistike”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ali Berisha u shpreh i bindur se patinë në të cilën është, AAK, nuk do ta braktisë.

Por, ai nuk e përjashtoj mundësinë për të votuar kundër qëndrimit të grupit parlamentar.

“Unë do të votoj gjithmonë në atë që është në dobi të komunitetit që i përfaqësoi”, thotë ai.

Pleqtë dhe personat me aftësi të kufizuara, Berisha tha se do ta ndjejnë më së shumti përkrahjen gjatë kohës sa do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Në Kuvend, Ali Berisha premtoi se do të angazhohet edhe për një ambient më të mirë në Kosovë.

“Mendoj që të gjitha duhet të bëhen me ligje të caktuara sidomos për mbrojtjen e ambientit, sidomos kundër pirjes së duhanit, të kenë gjoba të caktuar ata që e shkelin ligjin. Mendoj që duhet të kemi një mbikëqyrjeje sa më të madhe të atyre ligjeve të cilat aprovohen në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Njëri prej ndotësve më të mëdhenj në vend konsiderohen termocentralet që janë të ndërtuara në Obiliq.

Ai tha se do të jetë për ndërtimin edhe të një termocentrali të tretë me qymyr në vend.

Por, u shpreh kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit nga qytetarët. Sipas tij, edhe qeset e plastikës duhet të zëvendësohen e të hiqen prej përdorimit.

Ndryshe nga bashkëpartiakët e tij, Berisha mendon që shitja e Telekomit të Kosovës nuk duhet të ndodhë.

Por, Ali Berisha mban qëndrim të njëjtë kur vjen fjala për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit. Ai është për ndërtimin e saj.

Temat që përcollën Qeverinë e Ramush Haradinajt ishte ajo e ndryshimit të kufijve dhe taksa ndaj mallrave serbe. Për të dyja këto, zyrtari i AAK-së është kundër.

Kryetari i degës së AAK-së në Pejë është kundër edhe ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës.

Ali Berisha nuk është shprehur kundër mbylljes së universiteteve të cilave nuk u akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit, por ka thënë se është kundër monopolit në homologim.

Ai ka folur edhe për martesat ne mes gjinisë së njëjtë. Sipas tij, e drejta e secilit duhet të respektohet, dhe është shprehur për. Njëjtë është përgjigjur edhe kur është pyetur për bartjen e shamisë.

“Jam që e drejta e secilit të konsiderohet si personale dhe të konsiderohet ajo si një çështje shumë personale e secilit individ donë apo nuk dëshiron me e mbajtë shaminë”, tha ai.

Ai u shpreh për një hapësirë të re në Kuvend për njerëzit nga diaspora ndërsa tha se procesi i veteranëve të luftës të hetohet nga Prokuroria dhe Gjykata.

“Jam që kjo çështje t’i lihet Gjykatës  dhe gjykatat dhe prokuroritë të veprojnë dhe të gjitha që janë, nuk janë veteran të vërtetë t’i përcakton Gjykata, jo individi apo ata që nuk janë kompetent”, deklaroi ai.

Kartoni i gjelbër për mërgimtarët, sipas Berishës duhet të hiqet.

I pyetur se kush po ua financon fushatën, Ali berisha tha se po ndihmohet nga kolegët e partisë.

“Fushatën e financojmë ne këtu në Pejë vetë, kandidatët kontribuojnë, kontribuon ndonjë donator eventual që është simpatizant i Aleancës por edhe asamblistët  dhe anëtarët e kryesisë së degës”, tha ai.

Një vend pune Berisha tha se ka tani por një do ta mbaj edhe nëse bëhet deputet.

“Nuk kam pasuri të madhe, kam shtëpi kam tokë të trashëguar në fshat dhe kam rrogën tash të punës që e bëj”, tha ai kur u pyet për të hyrat mujore dhe pasurinë.

Pasurinë Berisha ende nuk e ka të regjistruar në emër të përbashkët me gruan e tij.

Ndërsa ka thënë se ka vizituar spitalet publike kur është sëmur dhe do t’i vizitoj përsëri.

Në institucione publike Ali Berisha i ka edhe fëmijët ndërsa ka thënë se fëmijët e tij janë të papunë.

Sa i përket fatit të “Trepçës”, Berisha tha se do të veproj në Kuvend në bazë të ligjit ndërsa ka thënë se nuk do ta kushtëzoj kalimin e buxhetit me ndonjë projekt të caktuar.

“Unë besoj që kam me provu me ndihmu sidomos në komisionet për shëndetësi ku aty jam profesionit dhe besoj se kam me dhënë kontributin tim”, ka thënë Ali Berisha.

10 pyetje parlamentare Ali Berisha tha se do t’i bëj brenda një mandati ndërsa premtoi se do ta krijoi një zyre në Pejë për takime me qytetarë.

Importimi i makinave të vjetra në Kosovë ka qenë shpesh pjesë e diskutimeve. Sipas Berishës, më të vjetra se 10 vite ato nuk duhet të hyjnë në Kosovë.

Pjesë e listës zgjedhore të AAK-PSD janë edhe disa kandidatë ndaj të cilëve ka aktakuza.

I pyetur se ato të ofroj dorëheqjen nëse ka aktakuzë, ka thënë se do ta bëj një gjë të tillë.

Por, ka qenë i rezervuar kur është pyetur nëse do të votoj pro rrëzimit të Qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë.

“Nëse kryeministri ka aktakuzë, kushdo që është, do të jap dorëheqje”, ka thënë kandidati për deputet i AAK-së.

Sipas Berishës, numri i zëvendësministrave duhet të jetë më i vogël se në Qeverinë e fundit. Sipas tij, jo më shumë se dy zëvendësministra duhet të jenë nëpër ministri.

Ali Berisha ka thënë se në degën që udhëheq, në Pejë do t’i bëj transparente fondet e partisë ndërsa ka premtuar qasje në dokumente publike dhe fatura kur të bëhet me postë të ri.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen të dielën e 6 tetorit ndërsa AAK dhe PSD kanë bashkuar forcat në një listë të përbashkët zgjedhore.