Berisha: Papërgjegjësi institucionale menaxhimi pas vërshimeve të fundit në Pejë

Ali Berisha, ish-kryetar i Komunës së Pejës, tash opozitë nga AAK-ja, ka thënë se faktori natyrë ka qenë shkaktari kryesor i vërshimeve të fundit në Pejë. Por, sipas tij, Komuna nuk ka bërë mjaftueshëm pas këtyre vërshimeve.

Ai ka thënë se jo vetëm mekanizmat lokalë por edhe ata qendrorë është dashur të jenë në këtë lagje ku kanë vdekur nënë e bir si pasojë e vërshimeve.

“Në mënyrë që të sanohen të gjitha këto dëme, është dashur që të jenë të gjithë në terren, pra mu këtu. As familja e cila ka pasur viktimat nuk është trajtuar ashtu siç duhet, që është një mëkat i madh. Sikur mos me pasë komunë! Pas disa dite familja me kërku shtëpi me qira është sikur mos me pasë institucione komunale që kujdesen për qytetarët e vet” – ka thënë Berisha.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se qysh natën e parë familjes së cilës i vdiqën të dashurit nga vërshimet është dashur t’u gjendet një vend për t’u strehuar për shkak se shtëpia e tyre është e pabanueshme.

Berisha ka kritikuar Komunën edhe për mosvlerësimin e dëmeve edhe tash kur ka kaluar një javë që kur ndodhën vërshimet në qytetin e Pejës.

“Është kriju një zyre në Komunë dhe nevojitet që qytetarët të bëjnë vlerësimet dhe t’i dërgojnë atje kërkesat, që është shumë absurde. Komuna është dashur t’i ketë 4-5 komisione, t’i vlerësojë dëmet dhe sa më shpejt të intervenohet në mënyrë që qytetarët të marrin atë çfarë kanë humbur” – ka thënë Berisha.

Berisha ia ka rikujtuar kryetarit aktual të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, i cili kishte premtuar se nuk do të ketë më vërshime nga ky kanal, pikërisht në premtimin e dhënë në debatin zgjedhor për kanalin e Qokolicës mu në debatin “Jeta në Komunë” gjatë fushatës zgjedhore në të kaluarën.

“Ky ka qenë një mashtrim i madh për qytetin e Pejës, këtë premtim e ka bërë në disa fushata elektorale, që ka qenë dështim i plotë i tij. Sikur të ishin pastru kanalet, vërshimet do të ishin më të vogla” – tha tutje Berisha.

Si pasojë e vërshimeve në këtë komunë para një jave, nënë e bir humbën jetën përderisa mbetën të lënduar edhe disa persona të tjerë.