Përurimi i objektit të ri të shkollës "Luciano Motroni" - Foto: MAShT

Përurohet Shkolla 2-Milionëshe

Në një ceremoni ku ishin të pranishëm kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, dhe kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, është bërë përurimi i objektit të ri të shkollës së mesme të lartë “Luciano Motroni”.

Në një fjalë rasti, kreu i Kuvendit, bëri thirrje për investim në infrastrukturë shkollore në gjithë vendin.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të obliguara që të krijojnë ambiente sa më të përshtatshme për mësimdhënie dhe mësimnxënie”, tha Veseli.

Ndërsa, ministri i Arsimit vlerësoi se kjo shkollë veçohet në promovimin e diversitetit etnik.

“Kjo shkollë është model jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Një shkollë e cila promovon diversitetin etnik sepse këtu ka nxënës të komunitetit boshnjak dhe komunitetit turk. Kosova është modeli më i mirë ballkanik për integrimin e komuniteteve”, tha Arsim Bajrami.

Sipas ministrit, shkolla është e nivelit evropian dhe është pjesë e procesit të modernizimit të sistemit arsimor në Kosovë.

“Jemi jashtëzakonisht krenarë që në Kosovë po përurojmë shkolla moderne. Një shkollë të tillë do ta shihni edhe në Paris, Vjenë dhe cilindo qytet evropian. Kosova po ecën përpara dhe ne jemi të vendosur që të ndërtojmë një sistem cilësor në arsim”, deklaroi ai.

Sipas MAShT-it, ndërtimi i këtij objekti ka kushtuar rreth 2 milionë euro dhe në komunikatë ka listuar sallat dhe ndarjen e hapësirave të paraparë për këtë shkollë.

“Objekti i Shkollës së Mesme të Mjekësisë ka një sipërfaqe prej 6,318.90 metrash katrorë dhe ka kushtuar rreth 2 milionë euro. Kjo shkollë ka sallën e edukatës fizike, terrenet e jashtme sportive, hapësirat gjelbëruese, 20 dhoma të mësimit, 8 kabinete, 4 laboratorë, sallën e arsimtarëve, kthinat administrative, kthinën e bibliotekës me leximore, kthinën e psikologut, mjekut të shkollës, personelit, si dhe hapësira tjera përcjellëse”, njofton Ministria e Arsimit.