Përurimi i rrugës Bare - Gumnishtë, Foto: Komuna e Mitrovicës

Përurohet rruga që lidhë Shalën e Bajgorës me Vushtrrinë

Sot është bërë përurimi i rrugës, Bare- Gumnishtë, e cila lidhë rajonin e Shalës së Bajgorës me Komunën e Vushtrrisë.

Në këtë përurim morën pjesë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ministri Lekaj tha se Ministria e Infrastrukturës është duke bërë punë të mëdha në rregullimin e infrastrukturës rrugore në tërë Republikën e Kosovës.

“Kjo rrugë ka rëndësinë e vet të jashtëzakonshme, sepse krijon mundësi të mëdha qarkullimi të qytetarëve të rajonit të Shalës së Bajgorës me komunat Mitrovicë dhe Vushtrri. Tani qytetarët e këtij rajoni nuk kanë arsye të largohen nga trojet e tyre. Përkundrazi, ata duhet të qëndrojnë aty dhe të merren me punë të bujqësisë e blegtorisë, si dhe të zhvillojnë degën e turizmit, pasi që rajoni është jashtëzakonisht i përshtatshëm për këtë”, tha Lekaj.

Ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri është shprehur i bindur se turizmi në këtë rajon tani e tutje do të ketë nxitje më të mëdha dhe se do të ketë projekte të shumta që do të realizohen.

I kënaqur për investimin në infrastrukturën rrugore ëshë shprehur edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili tha se investimet e tilla përveç që ndalojnë migrimet e qytetarëve, mundësojnë dhe zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe mundësi për mirëqenie më të mirë të qytetarëve.

Për rregullimin e kësaj rruge janë investuar 400 mijë euro nga Ministria e Infrastrukturës, komuna e Vushtrrisë dhe komuna e Mitrovicës.