Nga Viti në Vit Përsëriten të Gjeturat në Raportin e Auditimit

Artan Venhari zëvendësauditor derisa paraqiti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Raportin e Auditimit për Vitin 2013 të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, tha se ky institucion vazhdimisht përsërit rekomandimet, pasi shumica e tyre nuk zbatohen nga organizatat buxhetore publike.

Sipas Venharit raporti është bazë për të ofruar dhe për të kërkuar transparencë, llogaridhënie, dhe vlerën për para nga organizatat buxhetore, nga qeveria dhe nga shpenzuesit e parasë publike.

Venhari tha se institucioneve kosovare qendrore e lokale në vitin 2012 Zyra e Auditorit ua kishte dhënë 10 rekomandime, me zbatimin e të cilave sipas tij kjo zyrë nuk është e kënaqur.

“Nga dhjetë prej sosh, dy janë adresuar në tërësi, dy pjesërisht, ndërsa gjashtë nuk janë adresuar aspak. 102 auditime janë bërë gjatë kësaj periudhe, auditime të rregullsisë, të perfomancës, por edhe fondeve të donatorëve, mënyra e menaxhimit të tyre”, tha Venhari.

Ai pati vërejtje për Qeverinë se si po trajtohet pasuria publike në tërësi.

Zëvendësauditori tha se gjysma e rekomandimeve nuk janë zbatuar nga komunat.

“Te komunat ka një numër të madh të mangësive, nuk kanë adresuar rekomandimet. Mbi 50 për qind të rekomandimeve nuk janë trajtuar në komuna. Vazhdojnë të kenë probleme me borxhet e mbledhura nga viti në vit dhe rriten. Ka mangësi në kontrollet e tyre të brendshme”, tha Venhari.

Kryetari i Komisionit Funksional Besnik Bislimi nga “Vetëvendosje” prezantoi rekomandimet e deputetëve për raportin e Zyrës së Auditorit dhe institucionet e vendit, duke i lutur deputetët që t’i aprovojnë këto rekomandime.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave në raport me shkrim ta njoftojë Kuvendin për shkaqet e rritjes së borxheve të papaguara nga institucionet ndaj operatorëve ekonomikë dhe ndërmarrjeve publike gjatë vitit 2013. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë llogaridhënie nga njësitë për monitorim të ndërmarrjeve publike, lidhur me performancën e ndërmarrjeve publike,”lexoi rekomandimet e Kuvendit Bislimi.

Hajdar Beqa, deputet i PDK-së tha se e përkrahin këtë raport me rekomandime.

“Ne e përkrahim si grup i Partisë Demokratike, këtë raport dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga institucionet përgjegjëse nga Qeveria e Republikës së Kosovës, agjencitë e pavarura dhe të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me menaxhimin e parasë publike që të kenë vëmendje më të theksuar në menaxhimin e parasë publike dhe të mos përsëriten të gjeturat nga viti në vit”, tha ai.

Edhe Synavere Rysha në emër të deputetëve të LDK-së bëri të ditur se Raporti Vjetor i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm përkrahet nga ky subjekt politik.

“Vlerësojmë se paraja publike nuk është shpenzuar me kujdes dhe në pajtim me pritshmërinë. Nuk janë menaxhuar si duhet në procesin e shpenzimeve të tyre. Pra, paraja publike edhe për këtë periudhë kohore për vitin 2012 ka vazhduar të mos shpenzohet në përputhje me ligjet dhe rregullat”, tha Rysha.

Kurse, Bali Muharremaj deputet i AAK-së, tha se qeverisja e mëparshme nuk kishte vullnet ta luftojë korrupsionin.

“Se qeverisja e mëparshme nuk kishte vullnet ta luftojë korrupsionin dhe keqpërdorimin e parasë publike është dëshmuar edhe argumentuar edhe në këtë raport ku i jep vlerësimet për periudhën paraprake ku shihet se nga 1 mijë e 11 rekomandime nga auditori gjeneral, 327 nuk janë vlerësuar fare kurse 274 pjesërisht”, theksoi Muharremaj.

Me 62 vota për, 2 abstenime dhe 1 votë kundër, u miratua Raporti i Auditimit për Vitin 2013.

Kuvendi diskutoi edhe për Raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2014. Ky raport u miratua me 55 vota për dhe 7 abstenime.