Komuna Arsyeton “Mungesat e Jashtëzakonshme” të Nxënësve

Edhe pse është përgjegjësi ligjore e komunës për organizmin e procesit mësimor në arsimin parauniversitar, sot në një ditë të jashtëzakonshme, siç e quan Komuna, edhe mungesat janë të jashtëzakonshme.

Qindra nxënës të shkollës së mesme në Prishtinë i kanë lënë anash sot mësimet për të dalë rrugëve të kryeqytetit në mbështetje të kualifikimit të kombëtares së Shqipërisë në kampionatin evropian të futbollit “Francë 2016”.

Me çantat në krahë dhe me flamuj kuqezi, ata kanë marshuar gjithkah rrugëve të kryeqytetit dhe në një rast janë ndalur edhe para ndërtesës së komunës së Prishtinës.

Kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, ka dalë te shkallët e ndërtesës për t’i përshëndetur.

Ahmeti ka bërë simbolin e shqiponjës me duart e tij, ndërsa komuna e Prishtinës është përpjekur që ta arsyetojë mungesën e tyre nëpër klasë.

“Kryetari, Shpend Ahmeti ndan disa çaste feste me nxënësit e Prishtinës, të cilët po e festonin kualifikimin e kombëtares. Edhe pse normalisht do të duhej të ishin në shkollë, në rrethana të jashtëzakonshme edhe mungesat janë të jashtëzakonshme!”, ka shkruar komuna e Prishtinës në profilin e vet në Facebook.

Por, një gjë të tillë nuk e arsyeton drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, Osman Beka. Ai thotë që shkolla, respektivisht drejtoria nuk u kanë dhënë leje nxënësve që të dalin për të festuar, duke shtuar që nxënësit janë të thirrur të mbajnë mësimin, jo të dalin brenda këtij orari.

“E kanë pas pushimin e gjatë në orën 9:35, i kemi prit që po kthehen pas pushimit, por nuk janë kthy. Ne normal që nuk ju kemi dhënë leje”, tha drejtori Beka.

Sipas informative të mëvonshme, drejtorit i është thënë që nxënësit janë koordinuar një natë më herët nëpër rrjete sociale që të dalin e të festojnë.

Ndërkohë ndryshe nga drejtori i shkollës, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci e arsyeton mungesën e nxënësve, duke shtuar që nxënësve nuk do t’u shqiptohen as masa disiplinore.

“E arsyetoj, po me kushtin që kjo mos të përsëritet më”.

Ajo shton që këto orë do të zëvendësohen.

“DKA-ja është njoftu vetëm për nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri. Kam biseduar me drejtorin e shkollës dhe këto orë do të zëvendësohen. Për shkak të rrethanave dhe situatës së jashtëzakonshme nuk kanë me u shqiptu masa disiplinore ndaj tyre, me kusht që kjo mos të përsëritet në të ardhmen”, tha Nagavci.

Ndërsa në një komunikatë për media, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë kërkon nga Komuna e Prishtinës që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të krijojë kushtet për mbarëvajtjen e procesit mësimor në institucionet shkollore në Prishtinë.

“Komunat në Kosovë kanë përgjegjësi ligjore për organizmin e procesit mësimor në arsimin parauniversitar dhe dështimi si rasti i sotëm në Prishtinë, për të realizuar këto detyrime është i pajustifikueshëm dhe cenon interesin e nxënësve”, thuhet në këtë komunikatë.