Përkujtohet masakra e 13 marsit 1999 në Mitrovicë

Familjarë të viktimave, qytetarë të shumtë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe institucioneve tjera në Mitrovicë, kanë përkujtuar viktimat e masakrës që ka ndodhur 20 vjet më parë.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës Faruk Mujka me këtë rast ka thënë se edhe pas kaq shumë vitesh drejtësia nuk e ka dhënë fjalën e fundit.

“Jam këtu sot bashkë me juve në emrin tim personal dhe të institucioneve komunale që së bashku me juve të ndajmë dhimbjen e cila edhe pse vitet po kalojnë nuk po zbehet dhe nuk po zvogëlohet. Normal se bëhet fjalë për humbjen e më të dashurve tanë, por me siguri edhe për arsye se drejtësia dhe ligji nuk e ka dhënë fjalën e fundit dhe fjalën e duhur”, tha Mujka.

Ndërsa, Sabedin Uka njëri nga personat që ka humbur gjymtyrët në këtë ngjarje u shpreh i lumtur për premtimin se do vendoset pllaka përkujtimore kushtuar këtyre viktimave.

“Besoj që nënkryetari i komunës ta mbaj premtimin e bërë, shpresoj pas një muaji përsëri të takohemi”, ka thënë Uka.

Kurse Halit Barani kryetar i KMLDNJ-së u shpreh i pakënaqur me interesimin e institucioneve ndaj të mbijetuarve të kësaj masakre.

“Këtu e 20 vjet më parë, në këtë vend saktësisht në tregun e gjelbër të Mitrovicës me 13 Mars në orën 14:20 ushtria dhe policia kriminele qetnike serbe, kanë hedhur tre granata, midis tregut ku kanë mbetur gjashtë persona të vdekur, janë plagosur mbi 128 tjerë, shumë prej tyre kanë mbetur invalidë të përjetshëm dhe është fatkeqësi”, tha Barani.

Ai gjithashtu ka thënë se shteti ynë ka dështuar në trajtimin dinjitoz të këtyre personave.

“Shteti ynë fatkeqësisht për një njeri që i ka dy këmbë e humbura ia jep 120 euro në muaj nuk mund të quhet shtet absolutisht”, ka shtuar Barani.