protesta para kishës brenda UP-së | Foto: KALLXO.com

Përfundon e Qetë Protesta Para Kishës dhe te Rektorati

Demokracia Studentore protestën e nisur para kishës ortodokse brenda kompleksit të UP-së e ka zhvendosur te Rektorati, pasi protestuesit nuk janë lejuar nga policia t’i afrohen objektit të ndërtuar në vitet ’90.

Mexhit Ramusa, kryetar i Demokracisë Studentore tha se kisha është simbol i regjimit të Millosheviqit.

“Ne nuk lejojmë që kjo tokë t’u mbetet serbeve kjo tokë duhet t’i mbetet universitetit. Ky objekt simbolizon regjimin e Millosheviqit”, tha Ramusa.

KALLXO.com shkroi më 13 nëntor se Gjykata e Apelit vendosi që prona ku është e vendosur kisha i takon asaj, pasi përfaqësues të UP-së që kishin bërë padi për këtë pronë nuk u paraqitën në gjykatë.

http://kallxo.com/ekskluzive-humb-gjyqin-toka-ne-kampus-mbetet-kishes/

Më pas UP-ja paralajmëroi një padi tjetër për këtë çështje.

http://kallxo.com/ja-padi-te-re-per-token-e-kishes/

Ramusa gjatë protestës paralajmëroi peticion për këtë tokë.

“Ne si studentë do te nënshkruajmë një peticion për vendimin e Gjykatës së Apelit. Kërkojmë që të shkarkohet trupi gjykues i këtij rasti”, tha Ramusa.

Policia më pas ashtu si nuk i lejoi protestuesit t’i afrohen kishës, ua ndaloi atyre edhe hyrjen brenda oborrit të Rektoratit.

Mexhit Ramusa tha se protestuesit e dinë që Rektorati neglizhoi çështjen e tokës ku është e vendosur kisha nëpër seanca

“Ne e dimë që rektorati ka neglizhuar punët edhe seancat në lidhje me këtë tokë” tha Ramusa.

Ai deklaroi se nuk duan konfrontime me policinë dhe se rektori i ka ftuar të takohen, por protestuesit nuk kanë pranuar.

Protesta përfundoi e qetë.