Nga konferenca para protestës | Foto: KALLXO.com

PDK e LDK në Rugovë në Protestë Kundër Demarkacionit

Përfaqësuesit e këtyre dy nëndegëve janë edhe pjesë e këshillit organizativ të protestës.

Në një konferencë për gazetarë të zhvilluar sot, Mustafë Lajçi, kryetar i nëndegës së LDK-së në Rugovë u kërkoi deputetëve të mos e votojnë marrëveshjen e demarkacionit.

“Ju bëjmë apel deputetëve dhe ju qesim be në qoftë së besojnë në Zot mos të votojnë (demarkacionin) më 1 shtator. Jo të shtyhet, por të mos votohet kurrë ai kufi që nuk ka ekzistuar kurrë,” tha përfaqësuesi i degëve të LDK-së nga Rugova.

Sali Lajçi nga nëndega e PDK-së në Rugovë tha se aktivitetet kundërshtuese ndaj demarkacionit do të ngrejë vetëdijen e deputetëve.

“ Besoj që ky kundërshtim nga baza do të ngre vetëdijen e tyre (deputetëve) dhe nuk do ta votojnë demarkacionin por do themelojnë një komision të ri i cili do t’i qaset edhe në mënyrë më pragmatike, edhe më profesionale demarkacionit të kufirit me të gjitha shtetet fqinje” tha ai.

Ali Lajçi që ishte vëzhgues në Komisionin Shtetëror të Demarkacionit, në emër të këshillit organizativ bëri thirrje për protestë masive.

“Dëshiroj që të shtunën në orën 12:00 që masovikisht të përgjigjen qytetarët pa dallim, banorët e këtyre zonave dhe Republikës së Kosovës, të  tregojmë së vërtet duam dinjitet dhe duam një shtet ashtu siç e dëshiron sovrani i tij,” bëri thirrje Lajçi.

KALLXO.com shkroi për protestën që do të zhvillohet të shtunën edhe ditën kur ajo u paralajmërua.

Organizatorët e protestës ju bënë thirrje qytetarëve t’i bashkohen tubimit kundërshtues të shtunën në qendër të Pejës. http://kallxo.com/demarkacioni-kundershtohet-te-shtunen-ne-peje/

Edhe përfaqësuesit e komuniteteve dhe intelektualët u bënë thirrje banorëve që të shtunën të dalin për të protestuar në qendër të Pejës kundër ratifikimit të marrëveshjes përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi.