Autoambulanca - Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Paraburgim vozitësit për aksidentin ku mbeti i vdekur biçiklisti

Gjykata Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit H.K., për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka vozitur në gjendje të dehur apo të paaftë.

Sipas njoftimit të Gjykatës në Pejë, i dyshuari më datë 16 tetor 2018, rreth orës 21:10 minuta, në Pejë, gjersa ishte duke qarkulluar me automjetin e tij nga drejtimi i Stacionit të trenit duke qenë nën ndikim të alkoolit ka shkelur Ligjin  mbi Rregullat e Trafikut.

Deri tek aksidenti sipas Prokurorisë ka ardhur pasi që i pandehuri nuk i ka i kushtuar vëmendje dhe rëndësi biçiklistit, i cili ishte para tij duke lëvizur me biçikletë në të njëjtin shirit dhe atë në anën e djathtë, me pjesën e parë të automjetit e godet biçiklistin A.D. mbi gomën e pasme të biçikletës.

Si pasojë e goditjes e hedhë të dëmtuarin në asfalt me ç ‘rast nga pika e goditjes e deri te hedhja e biçiklistit distanca është 16.80 metra, nga goditja e pësuar tani i ndjeri vdes në vendin e ngjarjes”.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji duke filluar nga data 16.10.2018  deri me datë 16.11.2018.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.