Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Paraburgim të Arrestuarve për Terrorizëm

Shtatë të arrestuarve nga Policia e Kosovës gjatë mbrëmjes së djeshme nën dyshimin për vepra terroriste u është caktuar paraburgimi prej një muaji nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati Nasuf Hasani.

Hasani tha se e kundërshtoi masën e paraburgimit, ngase sipas tij nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale për këtë masë.

Nasufi deklaroi se nuk është vërtetuar as dyshimi i bazuar dhe se prokurorja e Prokurorisë Speciale Merita Bina-Rugova nuk ka ofruar ndonjë provë për arsyetim të masës së kërkuar.

Policia e Kosovës njoftoi sot se në aksionin e zhvilluar mbrëmë ishin arrestuar V.I, L.M, B.B, B.I, K.P, L.V dhe L.M, nën dyshimin e bazuar se janë përfshirë në vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Policia në komunikatën ku njoftoi për aksionin e zhvilluar në tri regjione të vendit sqaroi se ka sekuestruar gjësende që do të përdoren si prova materiale, pa i saktësuar ato.