Foto: Atdhe Mulla

Pacolli Tregon Çka Bisedoi me Deputetët e VV-së për Demarkacionin

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, u shpreh optimist se marrëveshja për demarkacionin do të ratifikohet në seancën e cila nisi sot.

Në pauzën e seancës, përderisa Komisioni Parlamentar për Punë të jashtme po e shqyrton projektligjin e dakodruar nga disa grupe parlamentare, Pacolli tha se është duke u punuar që të sigurohen votat e mjaftueshme për miratimin e kësaj marrëveshjeje të nënshkruar në gusht të vitit 2015.

“Unë e di se sot apo pak më vonë, demarkacioni do të kalojë dhe nëse kalon demarkacioni këto ditë, ne e kemi fituar të drejtën që kah vjeshta e këtij viti edhe kosovarët të udhëtojnë pa viza”, tha Pacolli.

Kryetari i AKR-së është parë gjatë paradites së sotme duke biseduar me deputetë të VV-së të cilët janë shprehur kundër marrëveshjes.

Pacolli tha se me ta është biseduar “për kauzën tonë”.

“Është kauzë e rëndësishme… votat janë, do ta votojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të gjinden votat, sigurisht. Ëhstë një nismë e mirë dhe kjo punë do të kryhet me sukses”, tha Pacolli.