Hapja solemne e seminarit

Paçarizi: Seminari nuk Duhet të Mbetet Dije e Izoluar

Ky seminar që shënon 35 vjetorin e mbajtjes ka mbledhur seminaristë nga 15 vende të ndryshme të botës duke përfshirë studiues e studentë të huaj dhe vendas.

Në hapjen e këtij seminari të pranishëm ishin edhe krerët e shtetit që këtë aktivitet për gjuhën e kulturën shqiptare e vlerësuan shumë të rëndësishëm për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se ky seminar ka shërbyer edhe për njohje të Kosovës dhe Prishtinës si qendër kulturore.

“Ky seminar përgjatë shumë viteve ka luajtur një rol të madh në njohjen e gjuhës shqipe, por edhe Kosovës. Seminari ka traditë dhe njohje ndërkombëtare, është bërë shenjë  identifikuese e Kosovës dhe Prishtinës,” tha Mustafa.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Hivzi Islami vlerësoi seminarin si një mundësi për përfitim të mbështetjes botërore përmes interesimit në albanologji.

“Seminari ishte dhe mbetet një dritare e madhe dhe urë e madhe që e lidh Kosovën me kultura dhe popuj të ndryshëm. Ju seminaristët jeni cilësuar si ambasadorë të vërtetë,” tha Islami.

Ndërkaq Rrahman Paçarizi, drejtor i këtij seminari kërkoi mbështetje më të madhe duke thënë se seminari nuk duhet të mbetet një përmbledhje dijesh e izoluar.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.

Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

KALLXO.com ka shkruar për mënyrën e organizmit dhe pritjen e mysafirëve për këtë seminar.

http://kallxo.com/neser-mblidhen-studiuesit-dhe-dashamiret-e-shqipes/