Opozita thërret ‘të ndalet Thaçi’ në synimin për korrigjim të kufijve

Gjatë fundjavës, në Alpbach të Austrisë u mbajt Forumi Evropian ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq prezantuan idenë që marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve ta përfshijë edhe korrigjimin e kufijve.

Përderisa zyrtarë qeveritarë të shteteve të ndryshme si dhe vet bashkimi Europian kanë shprehur interesim për idenë e iniciuar, brenda Kosovës, Thaçi ka hasur në një refuzim nga ana e spektrit politik.

Partitë opozitare po e cilësojnë këtë ide si të rrezikshme për Kosovën.

Duke iu referuar deklaratave të Thaçit dhe Vuçiqit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha për KALLXO.com se këto ngjarje kanë qenë të paralajmëruara dhe se “nuk mund të sillemi sikur po befasohemi”.

Fakti se vetëm presidenti kosovar dhe ai serb janë të njohur me mënyrën se si do të përfundojnë bisedimet Kosovë-Serbi është i rrezikshëm, thotë Selimi.

Ai madje e cilëson si gjendje të jashtëzakonshme, situatën në të cilën gjendet Kosova për momentin.

“Sot kemi ardhur në një situatë ku Thaçi dhe Vuçiqi janë dakorduar duke përjashtuar faktorët e brendshëm institucional por duke përjashtuar edhe faktorin e jashtëm siç janë aleatët strategjikë. Vetëm Thaçi e Vuçiqi po e dinë se cili është përfundimi i këtyre bisedimeve, kjo edhe është e rrezikshme edhe është e papranueshme”, tha Selimi.

Ai shprehet se edhe vetë partitë e koalicionit qeveritar do të duhej ta kishin një “vetëdije të ngritur” rreth rreziqeve që mund të sjellë kjo ide.

“Unë nuk po arrij të kuptoj se si i janë nënshtruar kësaj hegjemonie të Thaçit edhe faktorët tjerë, siç janë kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe kryetari i Kuvendit. Po ashtu s’po arrij të kuptoj se si deputetët drejtpërdrejt po e shmangin, nuk po reagojnë dhe po vazhdojnë të heshtin. Situata është shumë e rëndë, tashmë është një situatë e jashtëzakonshme. Kurrë nuk ka qenë një situatë e tillë dhe ka qenë më e rëndësishme të reagojmë tani dhe jo nesër kur të bëhet vonë”, tha Selimi.

Deputeti i VV-së theksoi se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë mbajtjen e aktiviteteve të saj brenda dhe jashtë parlamentit rreth kësaj çështje dhe cilësdo që e rrezikon Kosovën.

Selimi tha se ende nuk janë njoftuar se kur do të fillojë punën Kuvendi, mirëpo aludoi në atë se tashmë është bërë e qëllimshme që vendimet e rëndësishme të merren gjatë kohës kur parlamenti është në pushim vjetor.

Ai kujtoi vendimin për demarkacionin me Malin e Zi në gusht të vitit 2015, prandaj edhe ritheksoi se Kosova këtë herë po përballet me një rrezik të madh që po i vije nga partneri i Serbisë në Kosovë, e që sipas tij është presidenti Hashim Thaçi.

“Edhe vendimet e tjera të rëndësishme për Kosovën janë marrë në gusht. Referuar vendimeve për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, janë marrë me 26-26 gusht të vitit 2015. Edhe tani të gjitha vendimet e rënda për Kosovën po merren në gusht atëherë kur parlamenti dhe institucionet janë në pushim veror. Kosova është përballë me rrezikun e madh dhe këtë rrezik kësaj here nuk e ka sjellë vetëm Serbia por edhe partnerët e Serbisë në Kosovë siç është z. Thaçi tani”, përfundoi Selimi.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, thotë se takimet e kësaj natyre të presidentit Thaçi duhet të ndalen menjëherë.

Ai tha për KALLXO.com se Thaçi nuk është i mandatuar për këto çështje, prandaj edhe PSD-ja do të vazhdojë t’i bëj thirrje partive opozitare që të reagojnë.

“Ne kemi thënë tashmë që këto takime të Thaçit duhet të ndalen sa më parë. Ai nuk ka mandat e as nuk ka të drejtë të flasë me askënd për kufijtë e Kosovës. Kemi dërguar tek subjektet opozitare kërkesën edhe tek kryesia e Kuvendit për ta mbledhur Kuvendin por si duket nuk ka interesim nga askush”, tha Sejdiu.

“As nga Qeveria e cila nuk do ta merr përgjegjësinë e as nga pjesa tjetër e opozitës për fat të keq. Ne insistojmë që në lidhje me këtë proces aq të rëndësishëm duhet ta marrë përgjegjësinë kuvendi dhe për këtë vazhdojmë t’i bëjmë thirrje partive tjera opozitare. Kuvendi zyrtarisht fillon punën në mes të shtatorit”, shtoi ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme doli me një qëndrim rreth diskutimeve për ndryshim të kufijve. Në njoftimin e kësaj partie thuhet se kjo parti nuk e përkrahë këtë ide.

“LDK-ja nuk do të lejojë që Thaçi dhe Vuçiqi të bëjnë pazar me territorin e Kosovës. Kosova është një dhe e pa ndashme. Territori i Kosovës nuk mund të nxirret në pazar. Presidenti Thaçi duhet të ndalet”, shkruhet në komunikatën e LDK-së.

E njëjta pretendon se negociatat e drejtuara nga Hashim Thaçi janë kundër kushtetuese.

“Presidenti Thaçi nuk ka mandat kushtetues për veprime të tilla. Negociatat për territorin e Kosovës janë kundër kushtetuese dhe kushdo që hynë në lojëra të tilla do të bartë pasojat kushtetuese dhe politike” thuhet në reagim.

LDK ka paraqitur edhe kërcënimin e saj që do përdorë mjete për ta parandaluar këtë proces.

“Ne të bashkërendojmë veprimet në Kuvend për të penguar vënien në pikëpyetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga Presidenti i vendit”, thuhet në njoftimin e LDK.