Opozita: Asambleja u Keqpërdor për Interesa të Kryetarit

Rrahman Jakupi që drejton Asamblenë në Shtime, në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” të shfaqur sonte komentoi vendimin e kuvendit komunal të vitit 2015, me të cilin një pjese të tokës në këtë komunë iu hoq shpallja zonë e interesit të veçantë.

Për Jakupin, seanca e prillit të vitit 2015 ishte krejtësisht në rregull, ndërsa ai gjatë zhvillimit të saj deklaroi se nuk kishte parë pretendime të asamblistëve për ta blerë parcelën së cilës po i hiqej interesi komunal.

Mirëpo pas kësaj seance, “Drejtësia në Kosovë” mësoi se këtë pronë e bleu një biznesmen për 60 mijë euro, ndërsa për të njëjtën shumë parashë ua shiti pastaj kryetarit të Komunës së Shtimes Naim Ismajlit, kushëririt të tij dhe asamblistit të PDK-së Jakup Ismajlit dhe Hasan Salihut, vëllait të drejtorit të urbanizmit në Shtime Mehdi Salihut.

Në këtë pronë aktualisht është duke u ndërtuar një objekt shumëkatësh, ndërsa më herët komuna planifikonte që aty të kishte një park.

Komuna e Shtimes e kishte shpallur në vitin 2015 këtë pronë zonë me interes të veçantë për të, ndërsa pas tre vjetësh kishte hequr dorë nga ky interes, duke lejuar shitjen e kësaj toke.

Ndryshe nga kryesuesi i asamblesë Rrahman Jakupi, opozita në Kuvendin e Shtimes anulimin e vendimit dhe lejimin e shitjes së pronave e sheh si keqpërdorim të kuvendit komunal nga ana e kryetarit Naim Ismajli.

Ky i fundit i ka mohuar se ka pasur pretendime që vetë të bëhej pronar, por sipas tij oferta i kishte ardhur nga dy miqtë e tij, kushëriri Jakup Ismajli dhe miku tjetër Hasan Salihu.

Hulumtimin e plotë të Emisionit “Drejtësia në Kosovë” në lidhje me këtë pronë ku po ndërtohet shumëkatëshja mund ta shihni në vazhdim.