Dosja e Prokurorisë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiç, si ishin kryer vrasjet e përgjakshme të civilëve shqiptarë?
”Gjatë sulmit të armatosur në Reçak, vajza e njërit nga viktimat nëpër breshëri plumbash kishte shkuar t’i ndihmonte babait të saj por kishte mbetur e vrarë afër kufomës së babait të saj”, kështu thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarit për krime lufte Çedomir Aksiç.
Çedomir Aksiç akuzohet se në periudhën janar-maj 1999, ka kryer vepra të rënda të shkaktuara ndaj popullsisë civile shqiptare. Këto vepra përfshijnë vrasje, vuajtje, dëmtime të mëdha fizike, cenim të integritetit të trupit dhe shëndetit, shpërndarje të frikësimit dhe urdhërime për zhvendosjen e popullsisë civile.
I njëjti akuzohet se ka bashkëvepruar me një grup kriminal, ende të paidentifikuar nga Prokuroria, e pjesëtarët e të cilit kanë kryer krime lufte mbi popullatën civile, ku të njëjtit kanë qenë të organizuar, të veshur me uniforma policore, ushtarake e paramilitare.
Çedomir Aksiç, sipas dosjes së prokurorisë, së bashku me një grup ende të panjohur kriminal, akuzohet se në fillim të prillit të vitit 1999 ka drejtuar një operacion në një zonë të njohur si “Kodra e Gështenjave”, që ndodhet në mes të Komunës së Shtimes dhe fshatrave Mollopolc, Reçak dhe Petrovë. Ata akuzohen për urdhërimin dhe dëbimin e banorëve të kësaj zone, si dhe për kryerjen e ekzekutimeve dhe shkatërrimin e shtëpive të vëllezërve Ruzhdi, Sadri, Rexhep dhe Hamdi Jashari në Shtime, më të cilat veprime kishin shkaktuar dëme në vlerë prej 300 mijë euro.
Sipas dosjes së prokurorisë, në datat 13-14 maj 1999, në një vend të njohur si “Lugu i Neshës” në fshatin Pertovë të Shtimes, Halil Hysenaj ishte aty me familjen e tij dhe të tjerë pjesëtarë të komunitetit shqiptar që kishin zgjedhur të qëndronin në mal për të mbrojtur veten nga sulmet e forcave serbe. Kur forcat serbe kishin filluar të drejtohen drejt vendndodhjes së tyre në mal, Halil Hysenaj ishte nisur për të verifikuar nëse ata ishin pjesëtarë të UÇK-së apo forcave serbe. Hysenaj ishte ndaluar nga i akuzuari Aksiç, i cili kishte veshur një uniformë “lara-lara” dhe kishte përdorur një armë pushk 10-she, duke shtënë ndaj tij. Më vonë, trupi i të njëjtit ishte gjetur pa shenja jete nga banorët e fshatit.
Tutje, i akuzuari Aksiç së bashku me grupin e tij, sipas dosjes së prokurorisë, më datën 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e disa individëve gjatë sulmit të armatosur ndaj popullatës civile shqiptare, përfshirë Hajriz Brahimi, Hakin Murati, Sabri Murati, Arif Murati, Ahmet Mustafa, Sadik Mujota, Skënder Halili dhe Haumshahe Mujota.
Sipas dosjes së prokurorisë, në momentin kur i moshuari Hajriz Brahimi, tashmë i ndjerë, po përpiqej të largohej nga shtëpia e tij dhe po shkonte në drejtim të malit, Çedomir Aksiç dhe grupi i tij kishin shtënë drejt tij me armë zjarri duke e lënë të vdekur brenda sekondash. Më pas, ishin afruar pranë të ndjerit, duke shtënë përsëri me armë në drejtim të tij, për t’u siguruar që ai të kishte vdekur. Në të njëjtën kohë, pas disa çastesh, të njëjtit kishin shtënë me armë edhe në drejtim të të moshuarëve – vëllezërve Haki, Sabri dhe Arif Murati, të cilët kishin mbetur të vrarë në vend, ku më pastaj ishin afruar pranë tyre duke i goditur përsëri me plumba.
Tutje, sipas dosjes së prokurorisë, i akuzuari Aksiç së bashku me grupin kishin zbritur poshtë fshatit në shtëpinë e Ahmet Mustafës, duke thyer derën me forcë dhe duke nxjerrë Ahmetin, gruan e tij Salën dhe Mentor Halilin nga shtëpia e tyre, ku në prezencën e bashkëshortes Sala dhe Mentorit vranë Ahmet Mustafën, ndërsa Mentori kishte arritur të shpëtonte.
Sipas dosjes së prokurorisë, në ato momente, Aksiç dhe grupi i tij kishin shtënë me armë, duke e vrarë edhe Sadik Mujotën, i cili ishte duke kaluar rrethojën e oborrit me qëllim që të largohej nga vendi ku ndodheshin të njëjtit, dhe duke e plagosur në këmbë Skënder Halilin i cili kishte mbetur i shtrirë për tokë.
Vajza e Sadik Mujotës, Hanumshahe Mujota nëpër breshëri plumbash kishte shkuar t’i ndihmonte babait të saj por kishte mbetur e vrarë afër kufomës së babait të saj. Skënder Halili që ishte plagosur në këmbë, e kishin goditur përsëri me qëllim që të sigurohen se ka vdekur, nga aty kishin shtënë dhe kishin lënë të vdekur edhe Mehmet Mustafën në oborrin e shtëpisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes njoftimit për media, ka ftuar të akuzuarin për krime lufte, Çedomir Aksiç, i lindur më 10.05.1960, me vendbanim në Naupare – Krushevac, Serbi, numër personal 1005960960098, të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor të caktuar me datën 20 nëntor, ora 09:00, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Kjo ftesë është për shkak të akuzave për krime lufte, të trajtuara sipas aktakuzës për gjykim në mungesë nga Prokuroria Speciale ndaj të pandehurit Aksiç.
Prokuroria Speciale, me 4 maj 2023, kishte ngritur aktakuzë ndaj Aksiç për krime të kryera mbi popullatën civile gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore janar-maj të vitit 1999.
Prokuroria fton të akuzuarin për krime lufte që të paraqitet në Gjykatë