Aksident komunikacioni - Foto: Ilustrim

Nxirren nga Trafiku Veturat me Defekte, Gjobiten Pronarët

Policia e Trafikut e Rajonit të Prishtinës në kuadër të intensifikimit të punës preventive për forcimin e rregullit si dhe disiplinimin e pjesëmarrësve në trafik, për kundërvajtje në kapitullin parregullsia teknike gjatë dy ditëve të fundit ka shqiptuar 30 fletë paraqitje, ka nxjerrë nga komunikacioni 6 automjete si dhe ka lëshuar 7 urdhëresa për paraqitje në kontrollim teknik.

Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor (NjRKRr) njofton se në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, respektivisht Departamentin e Inspektimit, që nga data 19.12.2016 ka filluar implementimin e planit operativ “Kontrolli i shtuar i komunikacionit – kontrolli i jashtëzakonshëm teknik i automjeteve”.

Sipas një njoftimi të Policisë, ky operacion do të këtë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të  vazhdojë deri sa të vlerësohet që ka arritur efektin e dëshiruar.

Ky operacion, sipas Policisë, synon uljen e numrit të aksidenteve.

Operacioni është ndërmarrë pas shtimit të aksidenteve në trafik, disa prej të cilave kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Në muajin nëntor, Policia ka bërë apel për kujdes të shtuar në trafik pas përkeqësimit të motit.

http://kallxo.com/perkeqesimi-motit-policia-apelon-per-siguri-ne-trafik/

Dy muaj më parë, Policia Rajonale e Gjilanit në kuadër të një plani operativ kishte ndaluar shumë automjete, të cilat i ka çuar për “kontroll të jashtëzakonshëm teknik”. Për shkak se automjetet e tyre rezultuan me defekt janë gjobitur dhjetëra shoferë.

http://kallxo.com/automjetet-defekte-gjobiten-dhjetera-shofere/

KALLXO.com kishte raportuar në korrik të këtij viti për një rritje shumë të madhe të numrit të aksidenteve në trafik në gjashtëmujorin e parë.

http://kallxo.com/rritje-e-frikshme-e-numrit-te-aksidenteve/

Më 13 dhjetor, në Komisionin për Zhvillim Ekonomik është diskutuar për forcimin e kontrolleve teknike të automjeteve dhe vendosja e kufizimit për mosimportim të makinave të vjetra.

Anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së Blerim Grainca kërkoi që Ligji për Automjetet pas ndryshim-plotësimeve të parashikojë ndëshkimet ndaj atyre që kryejnë në mënyrë joadekuate kontrollet teknike.

http://kallxo.com/projektligji-qe-synon-shtrengimin-e-kontrolleve-teknike/