Gazmend Hoxha: Vitin e ardhshëm planifikojmë të blejmë edhe gjashtë vetura inteligjente të Policisë

Policia e Kosovës vitin e kaluar kishte prezantuar pajisjet që do të përdoreshin për menaxhim në trafik, e të cilat quheshin “Patrulla Inteligjente”.

Para mediave u prezantuan veturat zyrtare të Policisë, për të cilat u tha se do të gjenden në të gjithë territorin e Kosovës, pa dallim.

Në këto vetura gjenden edhe kamerat 360 shkallësh, senzorët e radarët të cilat gjatë lëvizjes së veturës monitorojnë rrugën.

Sot u tha që gjashtë vetura të tilla planifikohen që të blihen edhe në vitin 2024.

Kështu tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë gjatë ditës së sotme ku u fol për sigurinë në trafik.

“Aktualisht ne kemi gjashtë automjete të Policisë që janë smart patrolla, këto shpërndahen nëpër secilin regjion të Kosovës, planifikojmë me i ble edhe gjashtë vitin e ardhshëm” – tha Hoxha.

Ai shtoi se Policia e Kosovës ka investuar në radar edhe në sistemet elektronike të mençura të dokumentimit të kundërvajtjeve, derisa tha se planifikojnë të blejnë edhe më shumë.

“Për të qenë sa më efikas edhe pse është sistemi elektronik i mbajtjes dhe dokumentimit të kundërvajtjes, ne prapë duhet me ndalë shoferin edhe me ia shqiptu gjobën fizikisht” – tha Hoxha.

Tutje ai shtoi se nëse ligji për pjesën e trafikut ecën përpara, atëherë mundet që një automjet apo një radar statik kudo që e vendosin në mënyrë automatike të regjistrohen kundërvajtjen.

“Me i marrë të dhënat përmes tabelave të regjistrimit të atij automjeti dhe në mënyrë automatike ne nuk kemi nevojë fare me e ndalë, veç nëse bënë ndonjë vozitje të çmendur që duhet me ndalu për shkak se mund të shkaktoj aksident edhe ta lëndoj ose vrasë dikë” – tha ai.

I njëjti shtoi se ideja e tyre është që të bëjmë sa më funksional përdorimin e këtyre mjeteve, e shtoi se kanë filluar procedurat dhe se kanë një proces të tenderimit për radarë.

Si do të funksionojë “Patrulla Inteligjente” e Policisë?