Hilmi Jashari duke u ligjruar studentëve | Foto: KALLXO.com

Nuk Mund të Luftohet Korrupsioni me Lëndë të Pazgjidhura

Në takimin e organizuar me studentë të fakulteteve juridike nga Lëvizja Fol ligjëroi avokati i popullit, Hilmi Jashari.

Tema kryesore e ligjërimit ishte integriteti i gjyqësorit në Kosovë, por Avokati i Popullit adresoi edhe raportin e qeverisë dhe Kuvendit me gjyqësorin.

Hilmi Jashari foli edhe për numrin e madh të lëndëve në gjyqësor dhe prokurori.

Në fjalën e tij, z. Jashari kritikoi reformën në drejtësi sa i përket trajtimit të lëndëve të pazgjidhura.

“Reforma nuk doli mirë, sepse nuk janë llogaritur lëndët e reja që vijnë në gjyqësor dhe numri i lëndëve të pazgjidhura ka mbetur i njëjtë”, tha Jashari.

Në këtë kontekst, Jashari theksoi se korrupsioni nuk mund të luftohet kur ka numër të madh të lëndëve të pazgjidhura.

Më tutje shtoi se numri i lëndëve të pazgjidhura në bazë të një raporti të bërë nga vetë institucioni i Avokatit të Popullit është rreth 117,000.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar për përpjekjet e gjyqësorit që të zgjidhë lëndët e grumbulluara.

Strategji E Re Për Lëndët e Vjetra

Jashari pati edhe një kërkesë për kryeministrin e ri në detyrë.

“Krijimi i Grupit Ndërministror për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka qenë kërkesë e Avokatit të Popullit të cilën Kryeministri i kaluar e ka realizuar dhe ky komision ka mbajtë një mbledhje. Shpresoj që edhe kryeministri i ri të vazhdojë një gjë të tillë”, tha z. Jashari në ligjëratën para studentëve.