Foto: ZKM
Nga Krusha e Madhe, Haradinaj Kërkon nga Trump ‘ta Kryejë Punën e Kosovës’
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke përkujtuar masakrën në Krushën e Madhe ka kërkuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Amerikës, Donald Trump, që ta përfundojë punën me Kosovën.
“Sot në emrin tuaj dhe në emrin tim, i themi Presidentit Trump a bën me kry punën e Kosovës, mos të mbetet Kosova edhe më tutje punë e pa kryer”, tha Haradinaj.
Ndërsa nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shefi i qeverisë së Kosovës kërkoi që ta kuptojë tragjedinë që i ndodhi popullit të Kosovës.
“Çliroje popullin tënd, mos e mbaj me frikë të së kaluarës. Kuptoje tragjedinë e Kosovës, nderoje këtë dhimbje sepse i bën mirë popullit tënd”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj foli edhe për procesin e dialogut me Serbinë duke u ndërlidhur me kërkesën e Vuçiqit që edhe Serbia të marrë diçka në këmbim, për t’u pajtuar me një zgjidhje politike për Kosovën.
Kryeministri tha se kërkesa për të dhënë diçka në këmbim të njohjes së Serbisë për Kosovën është e padrejtë dhe e gabueshme.
“Paqja arrihet duke respektuar të drejtën e tjetrit. Populli i Kosovës është e interesuar për paqe, por ne nuk dimë çfarë tjetër duhet dhënë për të drejtën dhe lirinë tonë, se njerëzit tonë më të dashur e ata që nuk po i gjejmë ende” u shpreh Haradinaj.
Ai tha së nuk është e drejtë që në fazën finale për njohje t’i kërkohet edhe diçka Kosovës.
“S’ka ku me shku ma Kosova. Ne jemi të interesuar për stabilitet dhe për paqe, por njohja reciproke mes Serbisë nuk mund të bëhet mbi ndonjë pazar të ri sepse nuk ka mbetë asgjë”, u shpreh Haradinaj.
19 vjet më parë, forcat serbe vranë 241 civilë shqiptarë në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit.