Nga takimi i korrikut 2017 Thaçi- Vuçiq. Foto: BE
Nevoja për Transformimin e Dialogut Kosovë-Serbi
Analistë dhe politikanë diskutuan dështimet e dialogut Kosovë- Serbi të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe analizuan skenarët e mundshëm të këtij dialogu në të ardhmen.
“Dialogu ka qenë thelbësisht i pamjaftueshëm”, tha Veton Surroi, themelues i kompanisë Koha, në diskutimin mbi dialogun Kosovë-Serbi.
“Kosova dhe Serbia nuk i kanë ndryshuar raportet dhe nuk ka gjasa të ndryshimit të tyre”, vijoi Surroi.
Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe u moderuar nga gazetari Agron Bajrami, duke synuar që t’i përgjigjet pyetjes se ç’mund të presë Kosova nga dialogu i Brukselit.
Debati filloi me një hyrje nga moderatori Bajrami, me titull “Në Kërkim të Konsensusit” në të cilën theksoi mungesën e progresit përgjatë 6 vjet e gjysmë dialog.
Bajrami argumentoi se dialogu është kushtëzuar me integrimin e Kosovës në BE. Ai tregoi se përderisa zhillohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia në mënyrë të vazhdueshme “e ka penguar normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe pjesën tjetër të botës”.
Iniciativa e Presidentit Thaçi për formimin e grupit të unitetit nuk ka sjellë konsensus, argumentoi ky i fundit, duke shtuar se janë rrethanat e duhura për të bërë diskutim të gjerë të kësaj çështjeje në Kosovë.
David Philips nga Instituti për të Drejta të Njeriut në Universitetin Columbia në Amerikë, tha se dialogut i duhet një format, strategji, një afat për mbyllje dhe kushtëzim të Serbisë.
Ai tha se dialogut i duhet një pikë kyçe, që e ndan Kosovën nga Serbia: njohja e Kosovës nga Serbia.
Refuzimi i Serbisë për ta njohur Kosovën ishte pika kryesore q[ u trajtua nga katër panelistët, sipas të cilëve, përveç tjerash, Sebia punon në mënyra që e shkelin sovranitetin kosovar dhe ia pamundësojnë këtij shteti të marrë pjesë në organizata ndërkombëtare.
Përkundër kësaj, Boshko Jakshiq, gazetar dhe komentator, tha se njohja nga Serbia është shumë e bukur për të qenë e vërtetë.
“Nuk ka mundësi që Serbia ta njohë Kosovën… Do të jetë sfidë e madhe për diplomatët ta gjejnë se si Vuçiqi mund të mbajë sadopak dinjitet. Kjo sepse qeveria e tanishme serbe dhe qeveritë e kaluara kanë rënë pre e premtimit me fjalën ‘kurrë[nuk do të njihet Kosova]’”, tha Jakshiq.
Jakshiq po ashtu ishte pesimist për nismën e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq të dialogut mes serbëve për Kosovën, i cili pritet të fillojë në tetor.
Ai tha se megjithëse ka shenja potencialisht premtuese, për shembull thirrja [e Vuçiqit] “për të lënë qasjet mitike e historike ndaj Kosovës”, mirëpo e gjithë kjo pa konsultime me opozitën, deklaroi Jakshiq.
Edhe mundësia që Serbia ta lejojë Kosovën të antarësohet në OKB pa e njohur Kosovën është diskutuar gjatë këtij debati.
Surroi theksoi se rruga e duhur është që Serbia ta njohë Kosovën, por e pranoi se kjo nuk është e realizueshme dhe se BE-ja është pjesërisht fajtore për këtë.
“Kosova e Serbia nuk janë të vetmet që duhet të ndryshojnë, edhe BE-ja duhet të ndryshojë gjithashtu. Nuk mund të jeni ndërmjetësues,e në të njëjtën kohë ta mohoni të drejtën e Kosovës për të ardhmen europiane. Mosnjohja nga pesë vendet e BE-së është mohim i kësaj të ardhme”, tha Surroi.
Albin Kurti foli për vendosje të reciprocitetit Kosovë- Serbi.
“Ne [Vetëvendosje] asnjëherë në parim nuk kemi qenë kundër dialogut, por ne kemi qenë gjithmonë kundër dialogut pa parime. Ne insistojmë për reciprocitet”, tha Kurti, duke shtuar se i konsideron problematike largimin kategorik nga dialogu të temave ekonomike dhe atyre për faktet historike.
Në anën tjetër Philips propozoi format të ri të dialogut Kosovë- Serbi, të bashkëkryesuar nga Brukseli dhe Washingtoni.
Ai tha që ShBA-ja duhet të emërojë një përfaqësues special që të punojë me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini, së bashku me një tjetër përfaqësues special të BE-së për “ta kthyer dialogun në negociata” që do të përfundonin brenda 18 deri 24 muajsh.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një mekanizëm monitorimi të dialogut nga BE-ja dhe ftoi BE-në të mos lejojë Serbinë të hapë ndonjë kapitull të ri në dialogun e anëtarësimit nëse ajo pengon progresin e Kosovës.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, Internews Kosova dhe Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA në Serbi e ndoqën vazhdimisht zbatimin e marrëveshjeve të dialogut të Brukselit nëpërmjet projektit “Big Deal”.