Nënkryetari i VV kërkon sondazhe që e nxjerrin LDK-në të parën

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje instituteve që merren me organizimin e sondazheve që të largojnë mjegullën e krijuar se kush është partia e parë në Kosovë.

Tutje, Bislimi thotë se situatës së krijuar në vend do t’i ndihmonte shumë nëse do të gjendej një sondazh që e nxjerrë LDK-në të parën apo ndonjë sondazh që nuk e nxjerr Vetëvendosjen të parën.

Gjatë ditës së djeshme LDK ka nxjerrë kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin, ndërsa sot e ka zyrtarizuar nominimin e saj.

Në anën tjetër, kandidati i Vetëvendosjes për Kryeministër është Albin Kurti.

LDK dhe VV tash e disa kohë janë duke diskutuar për arritjen e një marrëveshje koalicioni parazgjedhor, por që s’po arrijnë të dakordohen për pozitën e kryeministrit.

Ky është shkrimi i plotë i Besnik Bislimit:

Në këto momente shumë të rëndësishme për të ardhmen politike të vendit, një kontribut i madh në largimin e mjegullës dhe megamanipulimit të qytetarëve dhe akterëve politik do të mund të vinte edhe nga institutet që kanë aktivitet primar organizimin e sondazheve serioze me respodentë. Do të ndihmonte shumë nëse do të na tregonin nëse gjendet qoftë edhe një sondazh I vetëm aktual në Kosovë që e nxjerr LDK-në të parën apo qofte edhe një sondazh i vetëm që nuk e nxjerr Lëvizjen VETËVENDOSJE! fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. Kjo ka mundësi pak a shumë edhe e lehtëson arritjen e marrëveshjes aq të mirëpritur mes VV dhe LDK, sepse ua heq palëve nga dora një pseudoargument që po keqpërdoret pa mëshirë, mes tjerash edhe nga mediat që pozicionimin e kanë brendim dhe obligim. Do të ndihmonte shumë edhe nëse na tregojnë se a ka qoftë edhe vetëm një sondazh serioz që e nxjerrë qoftë PDK, qoftë koalicionin AAK-PSD si lojtar serioz për më lartë se vendin e tretë.