Akademi kushtuar përvjetorit të demonstratave të vitit 1968 - Foto: Komuna e Mitrovicës

Në Mitrovicë u shënua 50 vjetori i demonstratave të vitit 1968

Komuna e Mitrovicës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës me rastin e 50 vjetorit të demonstratave të vitit 1968 kanë organizuar akademi solemne në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.

Në këtë akademi mori pjesë kryetari i Komunës Agim Bahtiri, dy nga organizatorët e demonstratave në Mitrovicë, Latif Zariqi e Naim Bujupi, profesor Fazli Hajrizi, pjesëmarrës të demonstratave të atëhershme dhe veprimtarë e qytetarë të tjerë.

Agim Bahtiri i përgëzoi organizatorët e demonstratave dhe vlerësoi lartë kontributin e tyre për çështjen kombëtare në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti.

Ai tha se demonstratat e vitit 1968 paralajmëruan pushtetarët e atëhershëm komunistë që në Kosovë nuk do të ketë kurrë qetësi përderisa shqiptarët nuk i realizojnë të drejtat e tyre legjitime, të drejta këto që u realizuan pas shumë përpjekjeve të gjitha gjeneratave dhe me sakrifica të shumta, pas luftës së UÇK-së, thuhet në një komunikatë të komunës së Mitrovicës.

Duke folur për situatën aktuale në vend kryetari Bahtiri tha se Kosova është tokë dardane dhe plisi është dem baba dem në të gjitha trojet e shqiptarëve dhe se kurrë nuk do të lejohet copëtimi i mëtutjeshëm i territorit të saj.

Kryetari Bahtiri për pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1968 ndau disa mirënjohje.

Pas përfundimit të akademisë pjesëmarrësit vendosën buqeta me lule të freskëta në pllakën përkujtimore që është e vendosur në oborrin e shkollës ekonomike “Hasan Prishtina”, ish normalja e Mitrovicës, ku edhe kanë filluar demonstratat e vitit 1968.