Pamje nga akademia për Ali Hadrin. Foto: KALLXO.com.

Instituti i Historisë kujton akademik Ali Hadrin

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka mbajtur sot një akademi për të shënuar 95-vjetorin e lindjes dhe 36-vjetorin e ndarjes nga jeta të akademik Ali Hadrit, i cili konsiderohet ndër themeluesit e shkencës së historisë në Kosovë.

Në kuadër të kësaj akademie është përuruar edhe libri “Studime dhe kritikë historiografike” i akademik Hadrit, botuar nga Instituti i Historisë.

Ali Hadri ishte ndër themeluesit e Institutit të Historisë në Prishtinë.

Libri “Studime dhe kritikë historiografike” përmban shkrime të lëna në dorëshkrim nga akademik Hadri, ku përfshihen shkrime studimore, kritika historike e shkrime polemizuese kundër fushatës dezinformuese të historianëve serbë kundër shqiptarëve.

Gjatë kësaj akademie studiuesit thanë se Hadri përveç si shkencëtar kontribuoi edhe në ngritjen e institucioneve arsimore e shkencore. Po ashtu, u tha se Hadri përmes shkrimeve kritike kundërshtoi shkrimet dezinformeuse të historiografisë serbe për shqiptarët dhe Kosovën.

Pikërisht për këtë, sipas drejtoreshës së Institutit, Teuta Shala-Peli, Hadri u vu në shenjestër të organeve shtetërore të atëhershme serbe dhe jugosllave. Ndërsa tha se për kontributin e dhënë në zhvillimin shkencor dhe ngritjen e institucioneve shkencore e arsimore Hadri nderohet me mirënjohje nga Instituti i Historisë.

“Për kontributin e veçantë në themelimin e Institutit të Historisë dhe ngritjen e kuadrove shkencore, ky Institut i ndan një mirënjohje (post-mortem) akademik Hadrit”- tha ajo, duke ua dorëzuar mirënjohjen familjarëve të akademik Hadrit.

Nga një fjalë rasti për kontributin shkencor e arsimor të akademik Ali Hadrit mbajtën edhe Jusuf Bajraktari e Fehmi Rexhepi, ndërsa u lexua një fjalë e historianit Muhamet Shatri. Ndërkaq, në emër të familjes, një fjalë rasti  mbajti historiani Arbër Hadri, djali i akademik Ali Hadrit.

Në fund u shfaq edhe një dokumentar për akademik Hadrin.

Akademik Hadri kontribuoi në themelimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte ndër anëtarët e saj të parë. Për kontributin e tij shkencor, sidomos kundërvënies ndaj propagandës antishqiptare të historianëve serbë, pas 1981-tës ai u largua dhunshëm nga institucionet shkencore dhe arsimore. Vdiq më 2 dhjetor 1987 në Prishtinë.

 

Ballina e librit ‘Studime dhe kritikë historiografike’ – Ali Hadri.