Gjykimi për vrasjen e Naim hajrizit. Foto: Kallxo.com

Në gjykimin për vrasjen e Naim Hajrizit dëshmon axha i të akuzuarit

Në procesin gjyqësor ndaj Gëzim Retkocerit e Osman Spahiut, të akuzuar për vrasjen e Naim Hajrizit, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar xhaxhai i Gëzim Retkocerit, Fahri Retkoceri.

Dëshmitari dëshminë e tij e dha rreth asaj që kishte parë e dëgjuar në mbrëmjen e 29 prillit të vitit 2009, kur tha se kishte kuptuar se disa hetues policorë kishin shkuar në Autoservisin “Cali” dhe ishin duke e hetuar nipin e tij, Gëzim Retkocerin.

“Në mbrëmjen e 29 prillit afërsisht prej orës nëntë-dhjetë në mbrëmje me telefonon Bashkimi, vëllai i Gëzim Retkocerit, i cili gjendet në Gjermani edhe më thotë ‘a priton me dalë deri te pika e karburantit  se ishin disa policë hetues’. Pika e karburantit me shtëpinë ku jetoj janë me makinë dy minuta, i ka 400-500 metra distancë, kështu që kam mbërri shumë shpejt për 2 minuta”, tregoi dëshmitari.

Prokuroria akuzon Retkocerin dhe Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Në korrik të vitit 2015 të akuzuarit ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Në seancën e sotme, dëshmitari tha se me të arritur aty e kishte takuar babanë e të akuzuarit si dhe dy policë hetues të cilët i kishin thënë se qëllimi i vizitës ishte një hetim ndaj Gëzim Retkocerit.

“Pyeta se çka është qëllimi i kësaj vizite, ata më thanë ne kemi me e bë një hetim për Gëzim Retkocerin, i kam pyetur për Gëzimin, më thanë se Gëzimi është brenda në Autoservis me hetues. Të them të drejtën unë tentova me hy në Autoservis te Gëzimi, tha jo nuk bën me hy, nuk më lejuan”, tregoi më tej dëshmitari.

Për hetuesit tha se kishin qenë civilë, pa uniformë dhe as vetura me të cilën ndodheshin nuk kishte pasur ndonjë regjistrim zyrtar.

“Aty i kam parë vetëm këta hetues dhe një makinë jo zyrtare “Golf 5”, me regjistrim të rëndomtë, nuk ka qenë regjistrim i policisë. Mandej unë ju ofrova një kafe thash ‘hajde po ju ofroj nga një kafe’ sikurse tradita jonë. Kanë ardhë ata të dy në pikë të karburantit me mua bashkë dhe e kanë marrë nga një lëng”, deklaroi dëshmitari.

Bashkë me këta dy hetues policor, dëshmitari tha se i ishte thënë se ishte edhe një hetues tjetër i cili ndodhej brenda në Autoservis së bashku me Gëzimin për të cilin tha se nuk e ka parë fare.

Për këta dy hetues, dëshmitari tha se në atë kohë nuk i ka njohur por tani e di që kanë qenë Zymer Gashi e Emin Beqiri ndërsa për hetuesin e tretë tha se emri i tij është Lulzim përderisa mbiemri nuk është kujtuar.

Pasi që Autoservisi dhe pompa e benzinës pronar i së cilës është dëshmitari janë në një distancë të vogël, dëshmitari tha se pasi që është përshëndetur me hetuesit policorë së bashku me vëllanë e tij janë ngjitur në katin e dytë, në zyre të dëshmitarit prej nga kanë vëzhguar se çfarë po ndodhte.

“Jam përshëndetë aty dhe kam shkuar në zyre lart, pastaj ka ardhur edhe Nazmiu-vëllai. Zyrën e kam pasur në katin e dytë dhe ka qenë krejt e rrethuar me xhama e tejdukshme. Unë shkova në zyre dhe vëzhgoja çdo gjë jashtë prej lartë”, shtoi dëshmitari.

Dëshmitari tha se lart ka qëndruar duke vëzhguar për orë të tëra deri afër orës dy pas mesnatës, prej nga tha se ka vërejtur se hetuesit policorë janë endur disa herë me veturën e tyre, kanë dalë nga vendi i ngjarjes dhe janë kthyer përsëri.

“Vetëm e kam parë lëvizjen e veturës “Golf 5” ngjyrë hiri, ku mund të them se gjatë gjithë intervalit sa kam qëndruar në zyrën time, vetura ka hy e ka dalë nja katër-pesë herë dhe është kthy. Unë kam qëndruar në zyre deri rreth orës 01:40 minuta pas mesnatës, ata i kam lënë aty, policët hetues, dhe vetëm ata dy i kam parë ata me të cilët kemi pirë lëng”, tha dëshmitari.

“A e ke parë në ndonjë moment që ka dalë prej Autoservisit “Cali”, Gëzim Retkoceri dhe ai hetuesi i tretë’, e pyeti dëshmitarin, avokatja Kosovare Kelmendi, për çka dëshmitari tha se përgjatë intervalit kohor deri sa ai kishte vëzhguar nuk kishte parë dikë tjetër të hynte apo të dilte nga objekti.

Kurse të nesërmen ai tha se në punë kishte dalë rreth orës 9 në mëngjes dhe me të arritur në pompë të benzinës, para Autoservisit “Cali” tha se kanë qenë duke qëndruar të njëjtit hetues policorë dhe se më pas u ishte bashkangjitur edhe një person i cili kishte thënë që ishte prokuror dhe i cili kishte shkuar në zyre të tij dhe i kishte thënë se nipit të tij Gëzimit i duhej një avokat.

Më pas dëshmitari tregoi se e kishte telefonuar avokaten Fehmije Bytyqi e cila ishte takuar me hetuesit dhe më pas i kishte informuar familjarët se Gëzim Retkoceri ishte duke u hetuar për vrasjen e Naim Hajrizit.

Pas dëgjimit të këtij dëshmitari, mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Retkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi i propozoi trupit gjykues që të dalë edhe një herë në vendin e ngjarjes pasi që, sipas saj, është shumë e rëndësishme pasi që deri më tani nuk ka dalë asnjë trup gjykues dhe se “kjo mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit”.

“Po propozoj me dalë në vendin e ngjarjes tek Autoservisi “Cali”, pasi që asnjë trup gjykues nuk ka qenë. Kërkoj sepse e kemi dëshminë e zyrtarit të forenzikës, i kemi dëshmitë e hetuesve, dëshminë e Fahriut, mbrojtjen e tyre të mëparshme, provat materiale, ku janë gjetur gjurmët e gjakut, si janë gjetur, unë e kam informatën e familjareve të Gëzim Retkocerit se ashtu janë gjurmët e gjakut. Me humb nuk humbim asgjë, por mund të ndriçojmë diçka rreth zbardhjes së këtij rasti. Në favor apo disfavor të kujt do qoftë”, tha avokatja.

Për këtë propozim trupi gjykues tha se do të vendos në seancat e radhës.

Vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor u caktua me datën 24 tetor.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.