Donacioni për "Handikos"-in | Foto: KALLXO.com

Ndihma: 450 Pajisje dhe Karroca për ‘Handikos’-in

Në donacion janë përfshirë karroca, paterica, kukëza si dhe pjesë të tjera që shërbejnë për riparimin e këtyre pajisjeve.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ndihmuesit e “Handikos”-it dhe ministrat e shëndetësisë dhe punës e mirëqenies sociale Imet Rrahmani e Arban Abrashi.

Drejtori i “Handikos”-it, Afrim Maliqi tha se këto pajisje do t’u mundësojnë personave me aftësi të kufizuara  të lëvizin dhe të përfshihen në shoqëri.

“Organizata jonë deri më tani është institucioni i vetëm që me vite mbulon dhe furnizon personat me aftësi të kufizuara me pajisje të ndryshme ndihmëse. Edhe këtë vit kemi rezultuar me pranimin e 450 pajisjesh ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara me të cilat do t’u shërbehet të gjithë atyre personave në nevojë,” tha Maliqi.

Ai shtoi se beson se Qeveria e Kosovës do të gjej forma që ta mbështesë “Handikos”-in.

“Besoj që shteti ynë do të gjejë forma dhe mënyra të ndryshme që të mbështesë organizatën tonë me shpërndarjen dhe furnizimin me pajisje ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara,” tha Maliqi.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se institucioni që drejton duhet të bëjë më shumë për personat me aftësi të kufizuara.

“Natyrisht do të jetë një lehtësim i madh për të gjithë ata që kanë nevojë për këto pajisje, neve si Ministri e Shëndetësisë na mbetet që të bëjmë edhe më shumë,” tha Rrahmani.

Edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arben Abrashi premtoi gjetjen e mënyrave për të ndihmuar “Handikos”-in.

“Si shtet, si buxhet të Kosovës, kur të ndahet buxheti për komuna, ashtu siç merret një grant për arsim, për shëndetësi, po tentojmë që të ndryshojmë këtë dhe të marrin edhe një grant për shërbime sociale dhe kjo do të qetësojë shumë situatën në Kosovë, diçka të cilën nuk po e shohim,” tha Abrashi.

Afrim Maliqi tregoi pastaj se “Handikos”-i që nga viti 1994 ka punuar për të përmirësuar gjendjen e personave me aftësi të kufizuara, familjeve të tyre dhe vetëdijesimin e shoqërisë.

Sipas Maliqit kjo organizatë u ka ofruar 550 fëmijëve me aftësi të kufizuara 35 mijë seanca rehabilituese.

“Këta fëmijë janë përfshirë në sistemin arsimor pasi janë parapërgatitë nëpër qendrat e ‘Handikos’-it anembanë Kosovës,” tha Maliqi.

Për respekt ndaj kësaj kategorie të shoqërisë të gjithë ata që folën gjatë dhënies së këtij donacioni, të pranishmëve iu drejtuan nga karrocat e dhuruara.