Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Sfidat me të cilat ballafaqohen Organizatat që ofrojnë mbrojtje dhe kujdes për fëmijët

Vetëm në periudhën janar – korrik 2023, 1,242 gra në Kosovë ishin viktima të dhunës me bazë gjinore, kurse përgjatë gjithë vitit 2022, 2,289 sosh, ka bërë të ditur Zyra për Informim e Policë së Kosovës.

Gjetjet e publikuara nga Zyra për Shëndetin e Gruas e Departamentit të Shtetit Amerikan tregojnë se shumë fëmijë të ekspozuar ndaj dhunës në shtëpi bëhen edhe vetë viktima të dhunës fizike. Aty më tutje përshkruhet se si fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës në familje ose janë vetë viktima të abuzimit, janë në rrezik serioz për probleme afatgjata të shëndetit fizik dhe mendor. Për më tepër fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës në mes të prindërve mund të jenë gjithashtu në rrezik më të madh për të qenë të dhunshëm në marrëdhëniet e tyre të ardhshmen.

“Konventa e Stambollit”, instrumenti i parë në Evropë që vendos standarde ligjërisht të detyrueshme specifikisht për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe ndëshkimin e autorëve, kërkon që shtetet të bëjnë krijimin e shërbimeve dhe strukturave të specializuara për dhënien e ndihmës mjekësore si dhe këshillimin psikologjik dhe ligjor të viktimave dhe fëmijëve të tyre. Ndonëse ky akt ka në fokus gruan, shtetet nënshkruese të saj inkurajohen ta zbatojnë të njëjtën edhe për viktima të tjera të dhunës në familjes, përfshirë fëmijët. Kjo konventë saktësisht kërkon kriminalizimin apo ndëshkimin e dhunës në familje, qoftë të natyrës fizike, seksuale, psikologjike dhe ekonomike.
Kurse si kërkesë e veçantë e saj është ajo që shtetet të bëjnë krijimin e shërbimeve dhe strukturave të specializuara për dhënien e ndihmës mjekësore si dhe këshillimin psikologjik dhe ligjor të viktimave dhe fëmijëve të tyre.
Kushtetuta e vendit tonë përcakton se secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe eksploatimi.

Se akti më i lartë juridik i vendit, Kushtetuta i ka dhënë rëndësinë e posaçme dhe të duhur një prej kategorive më të ndjeshme të shoqërisë, konstatohet shpejtë me obligimin e marrë për zbatimin e drejtpërdrejt të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka për qëllim mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës të Kosovës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve të tjera ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë në vendin tonë. Institucionet qendrore janë të obliguara ligjërisht që të zhvillojnë dhe zbatojnë politika dhe programe për mbështetjen e fëmijës dhe atyre që kujdesen për fëmijën, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së fëmijës, parandalimit të rrezikut për jetën, dhunën, neglizhimin, abuzimin, keqpërdorimin, braktisjen dhe shfrytëzimin, të sigurojnë zbatimin sipas standardeve të duhura të këtyre politikave dhe programeve nga ana e institucioneve dhe organizatave të tjera që ofrojnë shërbime për mbrojtjen e fëmijës.

Sipas këtij ligji mbrojtja e fëmijëve i vihet në përgjegjësi dy llojeve të institucioneve: qendrore dhe lokale.

Mekanizmat institucional për të drejtat e fëmijës në nivel qendror janë: Institucioni i Avokatit të Popullit; ministritë përkatëse sipas fushës që mbulojnë, në lidhje me të drejtat e fëmijës; njësia përkatëse për qeverisje të mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit; Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijës; Këshilli për të Drejtat e Fëmijës.

Kurse mekanizmat institucional në nivel lokal janë: Komuna; departamenti përkatës sipas fushës që mbulojnë në lidhje me të drejtat e fëmijës; qendra për punë sociale; ekipi për të drejtat e fëmijës.

Foto: Denis Sllovinja

Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë funksionon një prej segmenteve më të rëndësishme institucione për mbrojtjen e fëmijëve, Departamenti për Shërbime Sociale dhe Mbrojtje të Fëmijëve. Në këtë Departament po ashtu funksionon Divizioni për Mbrojtjen e fëmijëve, divizion që ka mandat propozimin, hartimin, monitorimin dhe këshilldhënien për mbrojtjen e fëmijëve në kuadër të mbrojtjes dhe shërbimeve sociale.

Por përkundër një strukture komplekse institucionale në vetvete, një ndër qëllimet e ligjit është edhe sigurimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në nivel qendror dhe lokal, si dhe organizatave për mbrojtjen e fëmijës.

Se bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile dhe roli i tyre është i rëndësishëm është qëndrimi edhe i Konventës së Stambollit. Në këtë Konventë thuhet se organizatat janë pjesë e komunitetit dhe ndihmojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve të cilët i përfaqësojnë. Aty thuhet që qeveria duhet t’i japë para këtyre organizatave në mënyrë që të njëjtat ta ndihmojnë qeverinë në ndalimin e dhunës ndaj viktimave. Për më tepër sipas këtij instrumenti juridik Qeveria, shoqëria civile dhe e gjithë shoqëria duhet të dakordohen për mënyrën se si do të ndalet dhuna, si dhe të gjithë duhet të punojnë bashkërisht për ndalimin e dhunës.

E kontaktuar me e-mail nga Kallxo.com, Zyra për Komunikim me publikun nga Ministria e Drejtësisë ka folur për kushtet për OJQ-të në mënyrë që ato të kualifikohen për të ju ofruar mbrojtje dhe kujdes fëmijëve.

“Procedura e aplikimit, kushtet dhe kriteret që një OJQ duhet t’i plotësojë për t`u licencuar për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare janë të përcaktuara me Udhëzim Administrativ për Licencimin e Organizatave Jo qeveritare dhe Subjekteve Juridike Private që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare. Me rastin e kërkesës për licencim, OJQ-ja, duhet të jetë e regjistruar dhe statuti i Organizatës duhet të këtë të specifikuar shërbimet që do t`i ofrojë Organizata, mbrojtje, kujdes fëmijëve, përveç informacioneve të duhura, përcaktohet edhe për llojin e shërbimeve sociale dhe familjare që aplikon të licencohet”- thuhet mes të tjerash në përgjigjet e MD-së.

Me Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, Ministria është përgjegjëse për specifikimin e standardeve profesionale për shërbime sociale dhe familjare që duhet të përmbushen nga komunat dhe organizatat e tjera që ofrojnë shërbime si në sektorin publik, joqeveritar dhe privat.

Të pyetur për specifikimin e këtyre standardeve, zyrtarë të Ministrisë kanë treguar se aktualisht janë të aprovuara 22 Standarde minimale (strukturale dhe funksionale), nga to 20 janë Standardet minimale të cilësisë për shërbime sociale lidhur me mbrojtjen e fëmijëve.

Lista e shërbimeve është e gjatë

“Dhuna në familje (fëmijët dhe të rritur); Fëmijët në forma të rënda të punës; Adoptimi i fëmijëve pa përkujdesje prindërore; Besimi i fëmijëve në familjet e prindërve të shkurorëzuar dhe të ndarë; Shërbimi i Kujdestarisë; Shërbimi Ribashkimit Familjar; Shërbimi për fëmijët me sjellje asociale/ fëmijët kryes të veprave penale pa përgjegjësi penale; Shërbimi për Fëmijët e Keqtrajtuar/ lënë pas dore; Shërbimi për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar; Shërbimi për fëmijët në konflikt me ligjin me përgjegjësi penale; Shërbimi për viktimat e trafikimit me njerëz; Shërbimi për fëmijët përdorues të substancave psiko-aktive; Shërbimi për fëmijët e strehuar në familje me lidhje farefisnore; Shërbimi për Fëmijët në Strehim Familjar dhe Familjet Strehuese; Shërbimet sociale për fëmijët viktima të krimeve seksuale; Shërbimet sociale për të miturit që hyjnë në martesë ; Shërbimet sociale në – shtëpi për persona me aftësi të kufizuara (fëmijë dhe të rritur); Shërbimet sociale në shtëpi rezidenciale për persona me aftësi të kufizuara intelektuale (fëmijë dhe të rritur); Shërbimet sociale për Fëmijët me aftësi të kufizuara në qendrat e kujdesit ditor” – kanë numëruar në përgjigjen e tyre zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë.

Ata kanë treguar se lista me llojin e shërbimeve është e publikuar nga Ministria, po ashtu informacionet e nevojshme mund të merren tek zyrtari përkatës për licencim në Departamentin e Shërbimeve Sociale dhe Mbrojtjes së Fëmijëve.
Në përgjigje shpjegohet se inspektimi i shërbimeve sociale dhe familjare bëhet sipas Planit vjetor të punës (inspektime të planifikuara dhe inspektime të jashtëzakonshme) në QPS, OJQ dhe Subjekte juridike private dhe se zyrtarët kompetent në kuadër të Departamentit për Shërbime Sociale dhe Mbrojtje të Fëmijëve, bëjnë monitorimin e shërbimeve përkatëse për mbrojtjen e fëmijëve.
Një fakt befasues ceket në përgjigje përderisa Ministria konfirmon se aktualisht kapaciteti i zyrtarëve për inspektim është tejet i vogël me hiç më tepër se dy zyrtarë.

“Mirëpo një ndër prioritete e Ministrisë është edhe rritja e numrit të zyrtarëve për inspektim” – konfirmoi zyra për komunikim me publikun e MD-së.

Mënyrë e mbikëqyrjes së punës së kryer në këtë segment dhe rezultateve të saj janë edhe raportet vjetore sa i përket mbrojtjes të fëmijëve dhe dhuna dhe abuzimi.

“Departamenti i Shërbimeve Sociale dhe Mbrojtjes së Fëmijëve, harton raporte të rregullta vjetore, raporte që paraqesin gjendjen e mbrojtjes sociale të fëmijëve në kategori të ndryshme”- bëhet e ditur nga Ministria.
Në bazë të regjistrit të Ministrisë rezultojnë se momentalisht janë 46 OJQ të licencuara në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare – mbrojtje dhe kujdes të fëmijëve.

Në bazë të raporteve financiare të parasë publike to alokuara për funksionimin e këtyre organizatave vërehet një rritje nga viti në vit.
Në vitin 2021 ishin alokuar 848,000 Euro për OJQ-të, në 2022-tën 923,000 Euro kurse në vitin 2023 më tepër se 400,000 Euro më shumë respektivisht 1, 384,500 Euro.

Vlorijan Molliqaj përfaqësues nga shoqëria civile, njëherit anëtar i Koalicionit të Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve sheh shumë faktorë se pse një prej kërkesave më të rëndësishme të Konventës së Stambollit ajo mes shtetit dhe organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të shtetit ka ngecje në bashkëpunim.

“E para për sektorin e shëndetësisë Ministria e Shëndetësisë nëse këqyrim mbrapa në kohë 5 vite kanë qenë 5 ministra edhe në mandatin e qeverisë aktuale më shumë deputetë, shumë stabile edhe tash i kemi tre ministra Arben Vitia, Rifat Latifi pastaj prapë Arben Vitia qito ndryshime ndikojnë, normalisht secili e ka qasjen se si mendon m`i zgjidhë problemet, kjo ndikon në bashkëpunimin në mes të shoqërisë civile dhe qeverisë e cila e kthen në pikën zero ndryshimin”.

Molliqaj nuk beson se institucionet e vlerësojnë sa duhet kontributin e organizatave të vendit.

“Nuk më duket që vlerësohet sa duhet kontributi i shoqërisë civile dhe shpesh duket si njëfarë gare kush po e merr bajraktarin për një çështje, projekt të caktuar në vend se institucionet tona me i hapë më shumë dyert për shoqërinë civile sepse ne po sjellim shumë fonde në çka po punojmë, p.sh. të cilat nuk janë fonde të taksapaguesve tanë por të taksapaguesve ndërkombëtarë. Duhet të ketë aso qasje që nëse Ministria s’ka fonde ta bëjë një projekt të caktuar të kërkojë ndihmë prej OJQ-ve. Kjo është edhe arsyeja si unë e shoh që ekzistojmë ne si shoqëri civile që t’i mbulojmë ato zbrazëti që shteti nuk mundet”.
OJQ-të që ofrojnë këto shërbime në anën tjetër përballen me financim të paqëndrueshëm dhe në disa raste me bashkëpunime afatshkurtra nga donatorë.
Vlorijan Molliqaj drejtor ekzekutiv i Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) është OJQ që ka fokus përmirësimin e shëndetit të nënave/grave dhe fëmijëve.

“Tash i kemi bërë 10 vite. Angazhimi lidhet ngushtë me sistemin shëndetësorë të Kosovës, të gjitha projektet tona implementohen në bashkëpunim të ngushtë me institucionet shëndetësore. Disa prej objektivave që i kemi është reduktimi i vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë tek gratë dhe fëmijët/foshnjat. Pastaj është angazhimi edhe për të drejtat e grave dhe fëmijëve në nivel vendi duke bashkëpunuar me akterët tjerë”, thotë ai.

“Disa programe që i kemi implementu dhe vazhdojnë janë programi i vizitave në shtëpi ku një ekip mjekësorë dhe social në secilën komunë i vizitojnë gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 3 vjeç. Qëllimi është të ofrojmë këshilla dhe të bëjmë kontrolle. Mirëpo është një qasje ndërsektoriale që ndërlidhet edhe me çështje të tjera siç është dhuna në familje ose problemet sociale. Ideja është që m`u ndërlidhë të gjithë sektorët dhe me u mundu me e njoftu njëra-tjetrën dhe me i ndihmu familjeve në nevojë, gjithashtu edhe kur identifikohen fëmijët me zhvillim të ngadalshëm”, tregon Molliqaj.

“Për 5 vite me radhë gjithashtu kemi implementu programin për prindërimin pozitiv ku kanë qenë target fëmijët, prindërit edhe familjet. Janë trajnu prindërit dhe edukatorët se si me mbajt raportin me fëmijë gjithmonë duke e përjashtu dhunën dhe format e tjera të kërcënimit dhe dhunës dhe autoritetit”.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturave ka një kategori të veçantë të fëmijëve për të cilët kujdesen.

“QKRMT ofron shërbime rehabilituese psikologjike, psikosociale si dhe shërbime ligjore për të mbijetuarit e torturës dhe traumës, refugjatët, azilkërkuesit, personat e riatdhesuar, duke përfshi edhe fëmijët. Synojmë që të zgjerohemi në ofrimin e këtyre shërbimeve për të miturit viktima të dhunës seksuale”- thuhet në përgjigjen me e zyrës së komunikimit të kësaj OJQ-je.

Erblina Dinarama, drejtoreshë ekzekutive nga “Shtëpia e Sigurtë” në Gjakovë ofron kujdes për fëmijët duke ofruar aktivitete arsimore, edukuese dhe sociale për fëmijët që jetojnë bashkë me nënat e tyre në ‘Shtëpinë e Sigurtë’ dhe që janë viktima direkte dhe indirekte të dhunës në familje.

Me mision special për një kohë të gjatë ka vepruar organizata e SOS Fshatrave në Kosovë, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë në përkrahje të një kategorie tejet ndjeshme të shoqërisë, atë të fëmijëve pa përkujdesje prindërore.

“Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve është organizatë joqeveritare e përkujdesjes sociale e dedikuar për përkrahjen e fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror pa marrë parasysh etninë, kombësinë dhe besimin fetar. Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë vepron nga viti 1999 dhe deri tani është përkujdesur për mbi 2,500 fëmijë të braktisur, pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror. Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, aktualisht ofron strehim, përkujdesje, edukim dhe përkrahje përmes 3 Programeve: Kujdesi alternativ për fëmijë pa kujdes prindëror; Programi i gjysmë-pavarësimit; Programi i Fuqizimit të Familjes” – shpjegon Berat Kryeziu nga SOS Fshatrat.
Për një kategori tjetër po kaq të ndjeshme të shoqërisë përkujdeset edhe organizata tjetër HANDIKOS.

“Jemi shoqatë e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve, si fushëveprim kemi avokimin për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe ofrimin e shërbimeve për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara në Kosovë. HANDIKOS veprimtarinë e vet e zhvillon në tërë territorin e Kosovës, me funksionim të pavarur në secilën komunë. Aktualisht, ofrojmë shërbime të rehabilitimit primar dhe shërbime sociale, si fizioterapi (për fëmijë në qendrën ditore dhe të rritur në terren), shërbimin psiko-social, logopedi, shërbimin psikologjik për fëmijë e prindër, vizita në shtëpi, shërbime të pajisjeve ndihmëse, këshilla ligjore, etj”- tregojnë zyrtarët për informim në përgjigjen e tyre nga kjo organizatë.

Vlorijan Molliqaj ka treguar se organizata që ai drejton financohet në dy mënyra dhe është shprehur optimist për gjendjen financiare dhe bashkëpunimet e organizatës.

“Sa i përket buxhetit AMC-ja funksionon në dy mënyra, pjesa e buxhetit që financohet përmes projekteve, përmes organizatave ndërkombëtare, institucioneve, etj… Kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me: UNICEF-in, UNFPA-në, bashkëpunim të kohëpaskohshëm me UNDP-në, Save the Children dhe ambasadat e huaja. E dyta është ngritja e fondeve në sektorin privat dhe në diasporë. AMC -ja prej vitit të parë e ka qëllim strategjik me ngrit nivelin e vetëdijes tek popullata e përgjithshme dhe bizneset mbi rëndësinë e filantropisë. Kosova jep shumë fonde për donacione për kokë banori, por shumica e tyre shkojnë për çështje bamirësie. Çfarë jemi munduar ne si AMC të bëjmë është që të kërkojmë fonde për ndryshime më të thella shëndetësore, p.sh. mbledhim para me ble aparaturën e klinikës që të mos ketë nesër nevojë për trajtim jashtë vendi. Është betejë goxha e vështirë, të merr kohë ta ndryshosh mendësinë”- shpjegon ai.

Kjo organizatë ka treguar se ka edhe një model burimi financiar jo edhe aq të njohur në vendin tonë.

“Ne si AMC ngrisim mjaft fonde me biznese private, në diasporë, Amerikë që e mbështesin dhe besojnë punën tonë. Çdo vit e bëjmë nga një event për ngritje fondesh. Po mendojmë të zgjerohemi edhe në Angli. Ka shumë kompani private që janë besnike ndaj kauzës sonë, nuk janë anonim. Buxheti ynë për këtë vit është rreth 500,000 mijë euro dhe rritet çdo vit”- tregon Molliqaj.
Megjithatë ai thotë se momentalisht nuk kanë bashkëpunim me institucionet vendore.

“Kemi pasë bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë por kjo ka qenë në të kaluarën se momentalisht nuk kemi bashkëpunim me institucionet vendore, ndoshta për shkak të fondeve të limituara nuk pasë asnjë thirrje për fonde nga Ministria këto 2-3 vitet e fundit”.

Megjithatë i njëjti qartëson se grantet për fëmijë nuk kanë munguar.
“Për fëmijët ka pasur grante por ne nuk jemi kategorizu te këto kategoritë që mundem me përfitu në kuadër të këtyre skemave që kanë qenë në Ministri të Punës dhe Mirëqenies Sociale e tash kanë kalu në Ministri të Drejtësisë, sepse nuk ofrojmë shërbime direkte”.

Dokumentet me skemat e fondeve nga Ministria e Drejtësisë tregojnë se “Shtëpia e Sigurtë” ka përfituar 70,000 Euro nga paratë publike. Por pohojnë të kenë krijuar bashkëpunime të qëndrueshme me donatorë pa i specifikuar me emra të njëjtit.

QKRTM tregon se 96% të buxhetit e kanë nga donatorët ndërkombëtarë, dhe thonë se për shërbimet që u dedikohen fëmijëve nuk ka përfituar asgjë nga paraja publike.

“Buxheti aktual vjetor i SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë është rreth 1,5 milionë euro, nga të cilat 85% janë fonde të mbuluara nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Norvegji dhe 15% janë fonde të cilët mblidhen në nivel lokal. SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë janë pjesë e Federatës ndërkombëtare të SOS Fshatrave Ndërkombëtarë. Donatorë kryesor është SOS Fshatrat e Fëmijëve në Norvegji, donatorë të tjerë janë institucionet ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, UNICEF, Qeveria Federale e Gjermanisë. SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë po ashtu mbledhin fonde përmes korporatave vendore dhe dhurimeve individuale. Në përgjithësi të hyrat publike/shtetërore brenda vitit arrijnë rreth 3-5% të buxhetit. Natyrisht SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë i siguron këto të hyra përmes aplikimit në thirrjet që hapen nga niveli qendror apo lokal”- ka shpjeguar Kryeziu nga SOS Fshatrat.

Nga kjo organizatë tregohet se vështirësi për fonde kanë hasur vetëm në periudhën e pandemisë COVID-19, por, sipas tyre, kanë gjetur përkrahjen e nevojshme përmes thirrjeve dhe pakove shtetërore.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nga HANDIKOS e shohin problematike mungesën e një linje të rregullt buxhetore.
“Të hyrat vjetore ndryshojnë nga viti ne vit dhe kjo varet nga numri i financuesve/ donatorëve dhe vlera e financimeve/ donacioneve, pra nuk janë fikse. Donatorët janë institucionet vendore, si komuna e Prishtinës, Ministria e Drejtësisë dhe Presidenca – me projekte afatshkurtra dhe jo të vazhdueshme por fonde kemi edhe nga organizata ndërkombëtare” – thuhet në përgjigjet e kësaj organizate.

Molliqaj për AMC-në tregon se objekti i tyre ka mungesa sa i përket qasjes së personave me aftësi të kufizuar por ai precizon se organizata që ai drejton nuk ofron shërbime direkte, dhe përveç bashkëpunëtorëve vizitorë dhe eventualisht ndonjë kolegji nuk ju është dashtë objekti për diçka tjetër.

“Shtëpia e Sigurtë” po ashtu ka objektin e vet por i cili nuk i plotëson nevojat për qasje të personave me nevoja të veçanta.

QKRTM ofron vetëm lift për personat me nevoja të veçanta dhe thotë të mos ketë objekt të vetin por aktivitetet t’i kryejë në hapësira me qera.

“SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë operojnë në hapësirën në Velani e cila i është dhënë SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë në shfrytëzim për një afat të pacaktuar kohor, përderisa objektet përcjellëse janë ndërtuar nga SOS Kinderdorf International dhe donatorë të tjerë. Me zgjerimin e projekteve jemi zgjeruar edhe në lokacionet në Fushë Kosovë dhe Graçanicë”- tregojnë nga SOS Fshatrat.

Nga HANDIKOS bëjnë me dije se e kanë qendrën ditore që është në pronësi të organizatës.
Molliqaj lidhur me AMC tregon se ata kryesisht kontraktojnë shërbime përmes institucioneve të vendit, dhe stafi që e punësojnë është i nevojshëm për punët organizative të organizatës. Ai thotë se shtimin e stafit e ndërlidh me dëshirën për rritjen e ndikimit.
“Shtëpia e Sigurtë” konsideron se ka nevojë për shtim të stafit në organizatë.
“Stafi profesional i QKRMT-së përbëhet nga psikologë, mjekë, punëtorë social si dhe juristë, dhe po ashtu janë angazhuar edhe vullnetarë”- tregojnë nga kjo organizatë.

SOS Fshatrat janë ndër të rrallët që shprehen të kënaqur jo vetëm me përgatitjen por edhe numrin e stafit.
“Sa i përket stafit profesional, për shërbimet që ofrohen në kuadër të misionit tonë (për ofrimin e shërbimeve për fëmijët pa përkujdesje prindërore ose atyre në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror), ne kemi staf të kualifikuar që kryejnë këto shërbime (Psikologu, Pedagogu, Punonjësi Social dhe pjesa tjetër e stafit kujdesdhënës që ofrojnë përkujdesje direkt për fëmijë. Gjithashtu, në Zyre Nacionale është e vendosur pjesa tjetër e stafit për zhvillim të Programeve që mbështesin stafin që ofron kujdes direkt për fëmijë Aktualisht numri i stafit është në përputhshmëri me numrin e përfituesve tanë, bazuar në kriteret, udhëzuesit dhe standardet e SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë”- bëjnë të ditur nga kjo organizatë.

HANDIKOS shprehet se ka punëtorë të kualifikuar por thekson se nevojat për zgjerimin e kapaciteteve njerëzore ekzistojnë gjithmonë pasi ato mund të ngrisim numrin e shërbimeve por edhe numrin e fëmijëve apo të të rriturve në ato shërbime.

Të gjitha organizatat e kanë emërues të përbashkët ‘vështirësinë financiare’ kur është në pyetje sfida kryesore që ata vetë e identifikojnë.

Molliqaj nga AMC i cili paraprakisht foli për një buxhet të konsiderueshëm të organizatës e ndërlidhë rrezikun për paqëndrueshmëri financiare me ndryshimet që mund t’i sjellin Kosovës krizat e reja nëpër botë si lufta në Ukrainë, apo ndryshimi i cilësimit të Kosovës nga shtet i pazhvilluar në shtet në zhvillim. Ai beson se arsye si këto të cilat janë krejt të mundshme mund ta zvogëlojnë paranë e taksapaguesve ndërkombëtar në vend.

QKRTM sfidat i sheh në disa segmente.

“Sfidat kryesore kanë të bëjnë me financimin, mungesën e shërbimeve të integruara, mangësitë e stafit të kualifikuar në nivel institucional, marrëdhëniet me familjen dhe komunitetin si dhe trajtimin e rasteve të veçanta”- thuhet në përgjigjen me shkrim të kësaj qendre.

Problemet për SOS Fshatrat po dalin të jenë më të thella. Ata konsiderojnë se Kosovës i mungon një skemë e qëndrueshme për financimin e shërbimeve sociale përmes Ligjit të Prokurimit Publik, i cili aktualisht është në ndryshim. Si rezultat, mbështetja financiare për ofruesit e shërbimeve bazohet në subvencione dhe mbetet e paqëndrueshme. Ata besojnë se mungon vullneti politik për miratimin e ligjeve me rëndësi për punën e tyre.

“Një nga sfidat e punës sonë është vonimi në procedurat për miratimin e ligjeve të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës si rezultat i mungesës së vullnetit institucional. Pavarësisht punës që është bërë në zhvillimin e ligjeve dhe nën ligjeve, ato ende mbeten të pa proceduara në Kuvend për miratim. Pavarësisht planifikimeve ligjore të qeverisë për vitin 2022, dy projektet kryesore të ligjeve që pritet të ndikojnë në decentralizimin dhe avancimin e shërbimeve sociale, të quajtura Ligji për Shërbimet Sociale dhe Familjare dhe Ligji për Financën e Qeverisjes Lokale, nuk u proceduan për miratim”, shton më tutje Kryeziu nga SOS Fshatrat.

Vonesat institucionale po dalin të kenë kosto për SOS Fshatrat.

“Mungesa e veprimeve konkrete të qeverisë në alokimin dhe sigurimin e financimit për shërbimet sociale sjellë shumë vështirësi për ne si organizatë në sigurimin e fondeve të nevojshme për të siguruar shërbime të qëndrueshme dhe për të arritur tek secili fëmijë në nevojë”.

Nga kjo organizatë thuhet se Qeveria nuk e ka prioritet mbështetjen e fëmijëve pa mbështetje prindëror.
“Politikat sociale aktuale nuk janë gjithëpërfshirëse, grupet e fëmijëve në nevojë përfitojnë në mënyrë të ndryshme në varësi të vendit ku marrin shërbimin. Qeveria ende nuk e ka prioritet mbështetjen e fëmijëve pa kujdes prindëror. Kjo ndodh për shkak të faktit se qeveria alokon rreth 40 milionë euro në vit për ndihmat për fëmijë dhe ende nuk ka rregulluar financimin për fëmijët pa kujdes prindëror. Për më tepër, fëmijët pa kujdes prindëror aktualisht nuk përfitojnë nga ndihmat për fëmijë”.

Nga HANDIKOS shprehin shqetësimin se mënyra aktuale e funksionimit i vendos në pozitë të pa sigurtë fëmijët.
“Qëndrueshmëria e shërbimeve vazhdon të mbetet sfidë për organizatën tonë, duke qenë se varemi vetëm prej projekteve, dhe çdo herë është rreziku që fëmijët përfitues të mbesin pa shërbime në periudha të caktuara”- thuhet në përgjigjen e kësaj organizate.

Pjesa më e madhe e këtyre organizatave thonë të mos kenë qenë në gjendje të identifikojnë indikatorë apo karakteristika specifike të rrethana të cilat e vendosin në një pozitë më të ekspozuar ndaj dhunës dhe abuzimit

Kurse nga HANDIKOS konsiderojnë se vetë aftësia e kufizuar e vendos një fëmijë më të ekspozuar ndaj dhunës.
“Ne mendojmë që vet aftësia e kufizuar e bën më të ekspozuar fëmijën ndaj këtyre dukurive, për shkak të pamundësive shpeshherë për ta raportuar dhunën apo abuzimin, qoftë në familje, institucione shkollore apo qendra ku ata marrin shërbime. Për këtë qëllim, ne kemi zhvilluar edhe kampanja vetëdijesuese se si të inkurajohen fëmijët me AK ta raportojnë sa më shumë dhunën apo abuzimin në çfarëdo ambienti”- shpjegojnë nga kjo organizatë.

Të gjitha këto organizata konsiderojnë se ekzistenca e gjatë i ka bërë emra familjar për komunitetin në përgjithësi, por megjithatë e pohojnë se i përdorin metodat e promovimit siç janë: rrjetet sociale, intervistat në televizione, por edhe vetë punën dhe aktivitetin e tyre.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.