
Përfaqësuesit e HANDIKOS-it shprehin kritikat dhe nevojat para drejtorëve në komunën e Prishtinës
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, përfaqësues të Handikos-it janë takuar sot me drejtorë të Komunës së Prishtinës.
Takimin ata e kanë mbajtur me drejtorin e Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku dhe me drejtoreshën e Mirëqenies Sociale, Adelinë Sahiti.
Sadiku dhe Sahiti gjatë takimit me përfaqësuesi e Handikos-it ishin ulur në karroca në shenjë solidarizimi.


Në takim, drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, foli për problemet rreth qasjes dhe lëvizjes së lirë të personave me aftësi të kufizuara.
Fjalimin e tij Maliqi e nisi me moton “Ne lëvizim ndryshe por jemi të barabartë”.
“Sa i përket lëvizjes së lirë dhe qasjes, ne për vite e kemi ngritur këtë çështje edhe me ish-kryetarë më herët edhe me drejtorë por përkundër përpjekjeve nuk po arrihet ajo që duhet” – tha Maliqi.
“Pse nuk po arrihet dhe çelësi kryesor është te drejtoria e urbanizmit. Ne kemi dy udhëzime administrative, Udhëzimin Administrativ për qasjen e personave me aftësi të kufizuara dhe Udhëzimin Administrativ që është për marrjen e lejeve të çdo ndërtuesi kushdo që ndërton në komunën e Prishtinës që po aplikon ta marrë leje përkundër të gjitha standardeve tjera që duhet të përmbush ajo kompani apo insitucion, duhet t’i përmbush kriteret për qasjen e personave me aftësi të kufizuara, e që drejtoria e Urbanizmit duhet t’ia kërkoj që fatkeqësisht nuk i kërkohet”-shtoi ai.

Maliqi si problem gjithashtu theksoi mungesën e shërbimeve të duhura shëndetësore.
“Shërbimet sociale janë të nevojshme dhe të mirëseardhura por paraprakisht ka mungesë të shërbimeve të duhura shëndetësore” – tha ai.
Lidhur me kritikat dhe kërkesat e përmendura nga Maliqi, Izet Sadiku Drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë u zotua se do të jenë avokues të këtyre kërkesave.
“Përveç punëve tona ne kemi me qenë avokues tuaj edhe te drejtorët tjerë edhe te kryetari që këto pjesët e urbanizmit me i paraqit në takimin e ardhshëm në bordin e drejtorëve. Ndoshta e bisedojmë me ardh edhe dikush prej juve në takim” – tha Sadiku.

Në anën tjetër, Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Adelinë Sahiti tha se këtë vit do të ndahen rreth 350 mijë euro për kategoritë e përdoruesve të shërbimeve sociale.
“Edhe vitin e kaluar me kategorinë e subvencioneve aq sa kemi mundësi e kemi dhënë mbështetjen tonë maksimale. I kemi pasur rreth 300 mijë euro që i kemi shpërndarë për përdoruesit e shërbimeve sociale. Po ashtu edhe këtë vit do të ndajmë rreth 350 mijë euro” – tha ajo.
Pas këtij takimi drejtoresha e Sahiti dhe drejtori i HANDIKOS-it Afrim Maliqi me karrocë vizituan edhe sportelin në komunën e Prishtinës.
Takime të tilla me përfaqësuesit e HANDIKOS-it kanë zhvilluar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Të dy në takimet e tyre kanë qenë të ulur në karrocë të personave me aftësi të kufizuar, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.