Foto: Komuna e Kaçanikut / facebook

Renovohet objekti i “HANDIKOS”-it në Kaçanik, projekt i financuar nga Komuna dhe organizata “LDS Charities”

Komuna e Kaçanikut ka njoftuar se anëtarët e organizatës “Handikos” në Kaçanik nga sot do të kenë objektin me kushte moderne dhe me hapësira të mjaftueshme.

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi dhe nënkryetari, Sabedin Vishi, e vlerësuan si të rëndësishëm projektin.

Sipas tyre, “HANDIKOS”-i do të ketë kushte më të mira.

Ata premtuan se mbështetja nga niveli lokal nuk do të mungojë.

Ky projekt u financua nga Komuna dhe një organizatë.

“Parcela dhe objekti janë dhënë nga Komuna e Kaçanikut për Organizatën “ HANDIKOS”, ku më pas është bërë renovimi dhe aktivizimi i këtij objekti për aktivitete të kësaj organizate.  Sipas marrëveshjes, organizata bëmirëse LDS Charities ka financuar me 30.000-euro këtë projekt të rëndësishëm për personat me nevoja të veçanta, ndërsa Komuna rreth 27.000 euro”- thuhet në njoftimin e Komunës së Kaçanikut.

Ndërkaq, drejtoresha e “HANDIKOS”-it në Kaçanik, Elmihane Krasniqi Malsiu, u shpreh e lumtur për realizimin e këtij projekti.

Sipas njoftimit, në përurimin e këtij objekti morën pjesë edhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Sali Malsiu, Clay Stringham dhe Cathy Stringham, përfaqësues të organizatës humanitare ndërkombëtare “LDS Charities” si dhe Rrahman Jakupi si bashkiniciator i këtij projekti.

Ky investim u konsiderua se do të sjellë ndryshime pozitive në jetën e personave me nevoja të veçanta.