Foto: Facebook/Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës pranon nga UNDP donacion pajisje për detektimin e eksplozivëve

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka pranuar sot një donacion nga UNDP-ja për avancimin e kapaciteteve policore në detektimin e eksplozivëve.

Sipas Policisë, donacioni i sotëm është një pajisje e specializuar e quajtur Ground Penetration Radar (GPR) dhe do të përdoret nga forca e rendit për të zbuluar objektet e rrezikshme që janë të groposura nën tokë.

“Donacioni i sotëm i pajisjes së specializuar të quajtur Ground Penetration Radar (GPR) për Policinë e Kosovës do të jetë një ndihmesë e madhe që edhe më tutje dhe së bashku me autoritetet dhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës që janë duke zbatuar me sukses Udhërrëfyesin Rajonal për Kontrollin e AVL-ve në Ballkanin Perëndimor si dhe strategjitë e tjera kombëtare që kontribuojnë në rritjen e sigurisë së përgjithshme në vendin dhe rajonin tonë” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë në Facebook.

Sipas këtij njoftimi,  radari i depërtimit në tokë (GPR) përdoret nga forcat e rendit për të kërkuar armë të groposura në tokë, municion, eksplozivë, drogë dhe sende të tjera të paligjshme.

“Duke përdorur GPR, policia mund të kuptojë më mirë një zonë dhe potencialin e saj për fshehjen e provave. Kjo pajisje është një mjet i çmuar për agjencinë e zbatimit të ligjit dhe mund të ndihmojë të gjejnë prova të vlefshme që ndryshe do të ishin të vështira ose të pamundura për t’u gjetur”-thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia së Kosovës falënderon UNDP-në dhe donatorët e tjerë për mbështetje dhe bashkëpunim si dhe mbështetje për zbatimin e suksesshëm të projekteve që derivojnë nga Udhërrëfyesi rajonal për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta që zbatohet nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Foto: Facebook/Policia e Kosovës.

 

Foto: Facebook/Policia e Kosovës.