Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Departamenti i Shtetit: Qeveria nuk zbatoi si duhet ligjin, personat me aftësi të kufizuar u përballën me diskriminim

Pabarazia në arsim, punësim e shërbime të tjera institucionale, janë disa nga problemet me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuar në Kosovë.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për të drejtat e njeriut të vitit 2022, thuhet se Qeveria nuk ka zbatuar si duhet legjislacionin për ndalimin e diskriminimit të personave me aftësi të kufizuar.

“Qeveria nuk i zbatoi në mënyrë efektive këto dispozita dhe personat me aftësi të kufizuar u përballën me diskriminim dhe nuk ishin në gjendje të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, ndërtesat publike dhe transportin në baza të barabarta me të tjerët”- thuhet në raport.

Tutje sipas DASH, fëmijët me aftësi të kufizuar në Kosovë kanë shumë pak opsione për tu arsimuar, pasi që mungojnë shkollat.

“Ekziston vetëm një shkollë publike për fëmijët e verbër dhe me shikim të dëmtuar në vend, e cila gjendet në Pejë. Shkolla ka konvikte me dhoma të kufizuara në dispozicion për fëmijët dhe udhëtimi për në shkollë është sfidë”- thuhet në raport.

Tutje sipas departamentit të shtetit, qasja në shkollë është e raportuar si e pasigurt për shkak të sinjalizimit joadekuat të rrugës.

“Sipas OJQ-së lokale Handi-Kos, rreth 38,000 fëmijë me aftësi të kufizuara nuk kanë ndjekur shkollën”- thuhet në raport.

Tutje në raport thuhet se sipas Handi-Kos, qasja në shërbimet shëndetësore dhe rehabilituese, duke përfshirë ndihmën sociale dhe pajisjet ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar, është e pamjaftueshme.

DASH për çdo vit publikon raportin për të drejtat e njeriut, ky raport mbulon të drejtat e njohura ndërkombëtarisht, të drejtat individuale, civile, politike dhe të punëtorëve, siç parashikohen në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit paraqet raporte për të gjitha vendet që marrin ndihmë dhe të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara në Kongresin e SHBA në përputhje me Aktin e Ndihmës së Jashtme të vitit 1961 dhe Aktin e Tregtisë të vitit 1974.

DASH: Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike