Foto: Uran Ismaili/Facebook

Ndërtimi i spitalit të fëmijëve hyn në fazën e dytë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar se punimet për ndërtimin e Spitalit Peditarik-Kirurgjik po shkojnë drejt fazës së dytë të ndërtimit.

“Ndërtimi i Spitalit të Pediatrisë dhe Kirurgjisë së fëmijëve ngadalë po hyn në fazën e dytë të tij. Ndërtimi i vrazhdë po shkon drejt përfundimit dhe së shpejti pritet nisja e punimeve në ambientet e brendshme. Spitali do të ketë 10 mijë metra katrorë hapësirë, 100 shtretër dhe pajisjet më moderne për trajtimin e fëmijëve tanë”, tha Ismaili.

Sipas ministrit, me ndërtimit të këtij spitali, të gjitha problemet shëndetësore të fëmijëve do të trajtohen në Kosovë, pa pasur nevojë që të dërgohen jashtë vendit.

KALLXO.com në shtator të vitit të kaluar ka raportuar se ky spital është nisur për të qenë i specializuar për trajtimin e sëmundjeve të zemrës te fëmijët por nuk ka staf të trajnuar për ta bërë këtë punë.

Spitali i kardiokirurgjisë së fëmijëve, pa kardiokirurgë

Ministria e Shëndetësisë thotë se partnerët kanë ofruar mundësinë që krahas ngritjes së spitalit, të punohet edhe në aftësimin e stafit profesional.

“Ashtu siç është arritur me këmbëngulje që të sigurohet stafi profesional për shërbimin e kardiokirurgjisë në QKUK, do të sigurohet stafi edhe për shërbimet e reja që do të jenë në kuadër të Spitalit pediatrik dhe të Kirurgjisë së fëmijëve”, tha Ministria.