Ismaili: Kurti dhe Kusari-Lila të japin llogari për audio-incizimet

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka komentuar audio-incizimin kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq.

Ismaili këto audio-incizime i ka cilësuar si skandalin më të madh politik të pushtetit duke theksuar se këto incizime dëshmojnë bashkëpunimin e fshehtë të i Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe.

“Dëshmohet që ky pushtet ka komunikuar dhe është koordinuar me një njeri të kërkuar nga Policia e Kosovës dhe i ndodhur në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojçiq. Dëshmohet bashkëpunimi i fshehtë i Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe, ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se s’kanë as koalicion e as bashkëpunim” – tha ai.

“Dëshmohet edhe një herë mendësia e këtij pushteti, që kurdo në çfarëdo rasti përqesh dhe denigron veprën e UÇK-së, por kësaj here para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit, duke u ankuar për veteranët dhe kërkesat e tyre. Ky është skandali më i madh politik i këtij pushteti. Ky bashkëpunim rreth çështjeve me rëndësi – siç është energjia në veri, zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, votimi kundër tërheqjes së parave të Trustit, të gjitha janë ose në koordinim me Milan Radojçiqin, ose me bekimin e tij”- theksoi Ismaili.

Ismaili kërkoi që kryeministri Albin Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila të japin llogari para qytetarëve dhe para drejtësisë për këto deklarata.

“Bashkëpunimi me një parti që përfaqëson qytetarët serbë në Kuvendin e Kosovës, në vete nuk është problem. Por, duke e mbajtur të fshehtë këtë bashkëpunim, e duke i gënjyer qytetarët se asnjëherë nuk kanë pasur bashkëpunim me ta, është një tjetër hipokrizi e pushtetit aktual. Kryeministri Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila kanë obligim që të japin llogari për tërë këtë situatë”- shtoi ai.

Sipas tij tendenca për ta normalizuar koordinimin dhe komunikimin me Milan Radojçiq veçse e thellon dhe e bën bashkëpjesëmarrëse tërë Qeverinë në këtë skandal.

“Milan Radojçiq është një person i kërkuar nga Policia e Kosovës, si për Mimoza Kusarin, edhe për Albin Kurtin, dhe nuk mund ta trajtojmë këtë bashkëpunim si diçka të zakonshme e normale. Propaganda e shfajësimi nuk janë e vërteta. E vërteta është se biseda me Radojçiqin ka ndodhur, është pranuar nga Mimoza Kusari-Lila, dhe çdo gjë perpos llogaridhënies para qytetarëve dhe drejtësisë është tentim për të vazhduar fshehjen e së vërtetës”- tha ai.

Tutje Ismaili, ka thënë se PDK e konsideron të pamoralshme dhe të pafalshme njollosjen e veteraneve të UÇK-së nga Mimoza Kusari-Lila përballë përfaqësuesve të Listës Serbe.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është historia e lavdishme e kombit tonë dhe secili ushtar e ushtare meriton vlerësim të përjetshëm nga gjithë ne. Rrëfimi i saj para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit për gjendjen dhe situatën me veteranët e UÇK-së, është i pafalshëm dhe denigrues për secilin qytetar”- tha ai.

Ismaili ripërsëriti kërkesën e PDK-së për zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza dhe stagnimi, që ka prodhuar Qeveria Kurti.

“Ky skandal nuk është problemi i vetëm i këtij pushteti. Stagnimi në ekonomi, shëndetësi, arsim, çmimet e larta dhe migrimi i vazhdueshëm, e izolimi i Kosovës, janë dështime të vazhdueshme të kësaj Qeverie. Dalja nga kjo krize dhe ky stagnim – prodhuar nga kjo Qeveri – ka vetëm një rrugë: zgjedhjet, duke i dhënë mundësinë qytetarëve që me vote ta ndryshojnë për të mirë jetën në Kosovë”, tha ai.

Të hënë mediumi nacionale ka filluar me publikimin disa audioincizimeve ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq e përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Mimoza Kusari-Lila e ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini e ka pranuar se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin.

“Nuk ka pasur biseda që shkojnë përtej agjendës së Kuvendit” – tha Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila: Para 4 muajve e njoftova Kurtin për bisedën me Radojiçiqin, nuk ka kërkuar dorëheqjen time