Ismaili: Qeveria dhe ZRRE të nisin urgjentisht procesin e uljes së çmimit të rrymës
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka kërkuar nga Qeveria Kurti dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë të ulin çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
Ismaili i quajti “të padrejta dhe të papërballueshme” faturat e dyfishuara ose të trefishuara mujore, apo edhe më të larta të energjisë që i kanë pranuar qytetarët gjatë kësaj jave.
Sipas tij, Qeveria Kurti ka lejuar dyfishimin e energjisë elektrike, në kohë inflacioni.
“Këtë muaj, pamë një politikë të Qeverisë kinse për të ndihmuar qytetarët. Ato 58 milionë euro që u ndanë si subvencione nga Qeveria për fëmijë dhe pensionistë, po dëshmohet se në fakt kanë qenë mjete të ndara për KEDS-in. Qytetarët vetëm janë përdorur si ndërmjetësues në këtë transaksion të planifikuar. Faturat e stër-rritura të energjisë janë dëshmi e kësaj politike të dëmshme dhe manipuluese. Në kohën kur qytetarët e Kosovës, nën këtë qeveri, janë varfëruar edhe më shumë, me 19% të tyre nën pragun e varfërisë, ata po detyrohen të paguajnë edhe faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike”- tha ai.
Gjithashtu, sipas Ismailit, kjo Qeveri, nuk ka bërë asgjë për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë.
Po ashtu, ai rikujtoi se me Qeverinë Kurti në pushtet “ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në skandalin më të madh rajonal të tregtimit të energjisë dhe shpëlarjes së parave, së pari është dyfishuar çmimi i energjisë, pastaj ka ndodhur edhe ngritja e dytë prej 15.4 %”.
“Si përfundim, kjo Qeveri, fatkeqësisht, nuk e ka as në temë, as në plan dhe as në agjendë mbështetjen e ekonomive familjare dhe prodhimit vendor energjetik. Barrën e energjisë elektrike të ngritur, do ta paguajnë edhe për një kohë të gjatë qytetarët e vendit tonë” – shtoi mes tjerash Ismaili.
Ankesat për çmime të larta të faturave të rrymës, deklarohet KESCO