Punimet për Spitalin Pediatrik Kirurgjik - Foto: Facebook/UranIsmaili

Spitali i kardiokirurgjisë së fëmijëve, pa kardiokirurgë

Sfida e trajtimit të një fëmije me sëmundje në zemër në Kosovë është e madhe meqë sistemi shëndetësor nuk ofron shërbimin e ndërhyrjeve në zemër dhe të gjithë prindërit fëmijët e të cilëve kanë të meta të lindura është dashur të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

Ka qenë viti 2016 kur Habibe Rusinovci e kuptoi se vajza e saj nëntë vjeçare kishte probleme serioze me shëndetin. Ajo thotë se fillimisht lindën problemet me frymëmarrje por që asnjëherë nuk kishte menduar se kishte të bëjë me ndonjë sëmundje në zemër.

“Ajo gjithmonë nuk ka qenë mirë çdo muaj kishte temperaturë të lartë e vjellje por me frymëmarrje nuk ka pasë problem deri në kohen e fundit kur ishte shumë keq, qëndronte vetëm në tarasa, komplet u nxijke. Pediatri më tha t’ia bëj analizat sepse dukej anemike por të gjitha analizat dolën mirë. Atëherë më tha ta dërgoj te kardiologu, duhej të pritja gjatë për një termin nuk durova dhe shkova në privat dhe aty më thanë se kishte problem me zemër”, kujton ajo.

Habibja thotë se duke e ditur se në Kosovë nuk kishte shpresa për trajtim dhe shërim ajo filloi të kërkoj mundësi tjera dhe aty erdhi edhe kontakti me organizatën “Gift of Life International” të cilët e morën vajzën në Amerikë dhe atje e operuan.

Por sfidat për të nuk mbaruan.

Pak pas trajtimit të vajzës, Habibja mësoi se edhe djali i saj ka të njëjtin problem shëndetësor dhe prapë iu desh të kalojë nëpër procedurat e njëjta duke u detyruar të shkojë në Amerikë përmes organizatës së njëjtë për ta operuar djalin në një spital të Nju Jorkut.

Brenda një viti në Kosovë lindin  qindra fëmijë me të meta në zemër ndërsa gjysma e tyre duhet të bëjnë intervenim kirurgjik i cili nuk bëhet nga stafi vendor.

Tashmë ka filluar të ndërtohet spitali pediatrik kardiokirurgjik, donacion ky i Emirateve të Bashkuara Arabe në vlerë prej 22 milionë eurosh.

Përderisa pritet të ketë edhe shërbim kardiokirurgjik, Kosova ka mungesë të kardiokirurgëve që operojnë në zemrat e fëmijëve. Punimet në këtë spital po vazhdojnë por ende nuk është bërë asgjë konkrete në drejtim të sigurimit të stafit për operime.

Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës thotë se do të ketë trajnime të stafit specifik.

Sipas tyre, do shfrytëzohet edhe stafi që aktualisht ka QKUK.

“dr. Adem Gërbolar, aktualisht shef në kardiokirirgji është i përgatitur dhe i aftësuar për të kryer të gjitha llojet e operacioneve në kardiokirurgji, përfshirë edhe ato të fëmijëve.” thuhet në përgjigjen e tyre.

I kontaktuar nga KALLXO.com doktor Gërbolar nuk është përgjigjur në pyetjet tona.

Ndërsa të njëjtën gjë e thotë edhe Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilës do të punohet ngushtë me SHSKUK-në për ngritjen e kapaciteteve humane por që ende nuk flasin për ndonjë nisme konkrete.

Por ai që  tashmë sa vjet bashkëpunon me Klinikën Pediatrike për të identifikuar dhe trajtuar fëmijët me të meta në zemër nga “Gift of Life International”, doktori në pension Mazllum Belegu thotë se përgatitjet është dashur të bëhen më herët.

“Për përgatitjen e Ekipit të Kardiokirurgjisë Pediatrike, ka qenë e nevojshme që të bëhen përgatitjet edhe më herët, kështu që para se të jetë e gatshme Klinika e Kardiokirurgjisë pediatrike, personeli i gatshëm, i përgatitur mirë të fillojë punën me intensitet të nevojshëm, sipas numrit të pacientëve me nevojë për këto intervenime”, thotë Belegu.

Belegu thotë se ekziston një gatishmëri e “Gift of Life International” dhe “Klubit Rotarian Prishtina” që të vazhdojnë të ndihmojnë Spitalin Pediatrik Kardiokirurgjik në mënyrë që trajtimi i këtyre fëmijëve të jetë më i lehtë.

“Është edhe një mënyrë që Gift of Life Kosova dhe Klubi Rotarian Prishtina Dardania, si edhe në bashkëpunim me Klubet tjera Rotariane, përmes projekteve të Fondacionit Rotary International, të ndihmojë në pasurimin e pajisjeve të nevojshme për punë në këtë Klinikë”, tha Belegu.

Ndërsa prindi A. R i cili është duke u përballur me të njëjtën sfidë thotë se dëshira e tij është që fëmija të trajtohet në Kosovë por uron shumë që të merret seriozisht çështja e operimeve në zemër.

“Kishim pasë dëshirë që trajtimi për këto probleme të bëhet te na në Kosovë por deri tash për fat të keq ajo nuk është e mundur për të ardhmen. Shpresojmë që të kemi trajtim këtu në Kosovë me kusht që ta respektojmë rëndësinë dhe rrezikshmerinë e problemit”, tha ky prind.

Spitali që po ndërtohet në QKUK si donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe në vlerë prej 22 milionë parashihet të jetë spital modern, sipas parashikimeve spitali do të ketë 10 000 metra katrorë, 100 shtretër dhe pajisje të reja mjekësore dhe do t’i integrojë brenda vetes të gjitha shërbimet shëndetësore tretësore që ofrohen për fëmijë, pra edhe shërbimet e pediatrisë edhe të kirurgjisë së fëmijëve.

Ky spital ishte paraprarë të ndërtohet më herët por sipas burimeve tona puna ishte prolonguar sepse Ministria e Shëndetësisë që e ka pasur për obligim të bëjë pastrimin e vendit kishte llogaritur se edhe ajo do të bëhej nga donatorët.

Vetëm vitin e kaluar buxheti i Kosovës për shërimin e sëmundjeve jashtë vendit qenë 13 milionë euro ndërsa miliona euro janë ndarë edhe këtë vit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për mundësitë e trajtimi të këtyre fëmijëve përmes organizatave të huaja.

https://kallxo.com/shkurtohet-rruga-e-sherimit-te-femijeve-me-semundje-ne-zemer/